Reforma në Drejtësi do të miratohet shumë shpejt dhe ajo është sfida kryesore e Parlamentit”.

Kështu ka deklaruar Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në ceremoninë e 25-vjetorit të Parlamentit Pluralist Demokratik nga ku ka theksuar se, Kuvendi ka luajtur rol në të gjithë proceset transformuese, përmes debatit, dialogut, konsensusit, bojkotit.

"Sot jemi përballë një sfide madhore që ka të bëjë me reformën historike, Reformës në Drejtësi. Përfitoj nga ky rast për të shprehur bindjen time të palëkundur se kjo reformë do të miratohet me sukses sa më parë për t’i hapur rrugë thellimit të demokracisë së institucioneve tona kushtetuese, rritjes së besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë si dhe përmirësimin e klimës së biznesit e sidomos të investitorëve të huaj” ka thënë Meta

Parlamenti, sipas Metës është pushtet i kritikuar, transparent e dinamik, por sipas tij në vite Shqipëria ka ndryshuar. Ai ka shprehur mirënjohje jo vetëm për ata që kanë kontribuuar për parlamentarizmin në Shqipëri, por edhe ndërkombëtarët.

Parlamenti pluralist dha mesazh lirie. Mirënjohje të gjithë atyre që kanë kontribuuar për parlamentarizmin. Mirënjohje partnerëve tanë ndërkombëtar” ka thënë Meta.

Fjala e plotë e kryeparlamentarit Ilir Meta

Topalli: Parlamenti në krizë demokracie
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se në 25 vjetorin e tij, parlamenti po përballet me krizë demokracie. Sipas saj, sot është me rëndësi largimi i i të inkriminuarëve nga politika.
 
 “Në kuvendin e Shqipërisë janë votuar reforma të rëndësishme për transformimin e vendit. Edhe diplomacia parlamentare ka rezultuar e suksesshme, e sidomos sa i takon ratifikimit të marrëveshjeve të rëndësishme. Në legjislacionin e fundit kuvendi ka kaluar nëpërmjet një krize përfaqësimi, pasi në karrige janë ulur figura të errëta. Kjo ka krijuar një imazh jo të mirë për organin më të lartë përfaqësues. Kjo ka krijuar idenë e gabuar se çdo kush mund të bëhet përfaqësues. Ky realitetet i sotëm bërtet për krizën që ka kapur përfaqësimin. Zhvillimet e fundit vetëm konfirmojnë një gjë të tillë. Në këto kushte sfida e parë është zbatimi i dekriminalizimit së dyti demokratizimi i institucioneve, dhe së treti largimi i të inkriminuarve nga të gjitha instancat. Kuadri ligjor në vendin tonë është i plotë dhe sipas standardeve të kërkuara, dhe kjo tregon se problemi tek ne nuk është me kuadrin ligjor, por me zbatimin e tyre. 25-vjetori është një moment reflektimi për të gjithë ne”, tha Topalli.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)