"Reforma shkon në Parlament edhe pa vullnetin e Partisë Demokratike", deklaroi Meta. Për reformën në drejtësi palët ndahen vetëm në një pikë atë të vendeve të rezervuara në katër institucione. Për zgjidhjen e këtij ngërçi, Meta kërkoi dialog të vazhdueshëm PD-PS për t'i dhënë zgjidhje. "LSI konstaton se pas një pune të madhe e të gjatë dhe pas çeljes së dialogut politik, konsensusi i plotë për të gjithë paketën kushtetuese është arritur përveç një çështje të vetme të ngritur me insistim nga opozita. Prandaj, në këto orë dhe këto minuta që kanë mbetur, ne insistojmë për intensifikimin e dialogut politik dhe gjetjen e konsensusit në përputhje me standardet e Venecias", deklaroi Meta.
Kreu i LSI shtoi gjithashtu se është e pakuptimtë dhe qesharake të hidhet në referendum kombëtar reforma në drejtësi vetëm për një pikë të draftit ku palët s'bien dakord. "Referendumi, këtë histori e kemi dëgjuar që në fillim dhe na është dukur shumë absurde sepse s'kemi dëgjuar ndonjë aktor në politikë që të thotë se s'duam reformën në drejtësi. Mund të ketë ndonjë individ. Ka mosbesim të thellë mespalëve të ndryshme, për garantimin e vërtetë të një sistemi të ri të drejtësisë, jo vetëm me integritet e të pakorruptuar por edhe të pa kapur politikisht në të ardhmen", tha Meta.
Kreu i LSI kërkoi votimin e reformës në Kuvend edhe nga opozita, ndërsa shtoi se s'ka asnjë arsye për zgjedhje të parakohshme.
Deklarata e plotë e kreut të LSI, Ilir Meta:
"Lëvizja Socialiste për integrim që pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013 ka qenë e bindur për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi. LSI ka votuar në parim për paketën kushtetuese për reformën në drejtësi. LSI ka qenë dhe mbetet aktori më koherent në gjithë procesin e reformës nga fillimi i saj e deri sot. LSI ka theksuar që në fillim të punës për këtë reformë se baza e konsensusit do të ishte Komisioni i Venecias, pasi dihet që politika jonë për fat të keq ende konfliktuale dhe e polarizuar me një frymë të thellë mosbesimi e ka pasur të vështirë të arrijë konsensus të gjëra dhe për çështje kaq të mëdha e komplekse. LSI ka deklaruar përpara se përpara se t'i drejtoheshin të gjithë aktorët e interesuar Komisionit të Venecias, se do të votonte një reformë sipas standardeve të saj edhe nëse do të dështonte konsensusi me opozitën për përgjegjësi të kësaj të fundit. LSI në vijimësi ka deklaruar se ka qenë e gatshme të votonte çdo konsensus të PD e PS. LSI konstaton se pas një pune të madhe e të gjatë dhe pas çeljes së dialogut politik, konsensusi i plotë për të gjithë paketën kushtetuese është arritur përveç një çështje të vetme të ngritur me insistim nga opozita. Prandaj, në këto orë dhe këto minuta që kanë mbetur, ne insistojmë për intensifikimin e dialogut politik dhe gjetjen e konsensusit në përputhje me standardet e Venecias.
Referendumi, këtë histori e kemi dëgjuar që në fillim dhe na është dukur shumë absurde sepse s'kemi dëgjuar ndonjë aktor në politikë që të thotë se s'duam reformën në drejtësi. Mund të ketë ndonjë individ. Ka mosbesim të thellë mespalëve të ndryshme, për garantimin e vërtetë të një sistemi të ri të drejtësisë, jo vetëm me integritet e të pakorruptuar por edhe të pa kapur politikisht në të ardhmen. Për referendumin ka vetëm një fjalë. LSI e mbështet idenë e referendumit dhe ajo ka kuptim vetëm në një rast, duke pasur në konsideratë situatën e deritanishme dhe angazhimin publik të kryetarit të PD, Lulzim Basha se ata kanë vetëm një çështje dhe nëse ajo çështje zgjidhet sipas Venecias, ata do ta votojnë këtë reformë Kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë. Nëse PD edhe në momentin që kjo çështje zgjidhet me dialog e konsensus sipas standardeve të Venecias dhe më pas ngre një çështje tjetër, apo sajon një pretekst tjetër, me qëllim që të mos japë konsensusin, atëherë LSI mendon se ky do të ishte demonstrim i qartë i mungesës së vullnetit politik dhe papërgjegjmërisë për të votuar këtë reformë në Kuvend dhe më pas për t'i dhënë më shumë legjitimitet për të ftuar qytetarët shqiptarë për tu shprehur për këtë. Kur për një çështje që Venecia është shprehur se duhen dhënë garanci substanciale për opozitën, të shkosh në referendum vetëm për këtë çështje, është jo vetëm absurde, por edhe qesharake. Qesharake sepse dihet që koalicioni ynë është më shumë se i majtë, të hedhim në referendum që të ketë apo jo opozita garanci substanciale që i japin parimet kushtetuese, është njësoj si të vendosësh diktaturën e shumicës ndaj pakicës.
Asnjë arsye për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Nëse dikush nuk e kërkon reformën në drejtësi, apo e kërkon sipas standardeve të vetë, mund t'i kërkojë që sot zgjedhjet e parakohshme.
Reforma shkon në parlament edhe pa vullnetin e PD dhe për tu dhënë legjitimitet këtyre ndryshimeve, duke iu drejtuar qytetarëve".
Ora 10:00 LSI mbledh kryesinë, Meta: LSI voton çdo variant përfshi atë të PS-PD
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka thënë sot se LSI është e gatshme që të votojë çdo variant të Reformës në Drejtësi, përfshi edhe atë të dalë nga konsensusi mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, mjafton që ai variant të jetë bërë me konsensus.
Nga ana tjetër, Meta shtoi se LSI është e vetmja forcë politike që ka qenë më koherente në këtë proces dhe se reforma në drejtësi është domosdoshmëri dhe e vonuar.
“LSI ka qenë forca politike më koherente në këtë proces që nga fillimi duke pasur parasysh vështirësitë e konsensusit. Është domosdoshmëri reforma në drejtësi dhe është e vonuar. LSI do votojë çdo reformë sipas standardeve të Venecias, madje është e gatshme që të votojë një reformë PS – PD, mjafton të ketë konsensus” tha ai.
Këta deklarata Meta i ka bërë gjatë mbledhjes së kryesisë së Levizjes Socialiste për Integrim, në të cilën është diskutuar mbi reformën në drejtësi