Meta: S'jam i shqetësuar për
dekretet, do ketë bashkëpunim

Meta: S'jam i shqetësuar për<br />dekretet, do ketë bashkëpunim
TIRANË - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta beson se kreu i shtetit Bujar Nishani do të respektojë afatin kushtetues prej 7 ditësh për të dekretuar emërimet e dy ministrave të rinj, Arben Ahmetajn tek Financat dhe Milva Ekonomin tek ministria e Ekonomisë.

Sipas kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim bashkëpunimi mes presidentit dhe kryeministrit si propozues i dy emrave të ministrave, do të ecë në frymën e zbatimit të Kushtetutës. Meta tha se nuk ndihet i shqetësuar për krijimin e ndonjë konflikti të mundshëm institucional, ndërsa e quajti artificiale dhe të panevojshme krizën kushtetuese për dekretet. 

" Lidhur me çështjen e dekreteve për dy zëvendësimet në qeveri, unë besoj se ne kemi nevojë për një klimë sa më bashkëpunuese midis institucioneve, në respekt të zbatimit të Kushtetutës, edhe besoj që gjithçka do të ecë sipas parashikimeve që bën Kushtetuta. Kështu që nuk kam asnjë arsye për të qenë i shqetësuar se një iniciativë e tillë do të keqpërdoret për të sjellë konflikte apo kriza kushtetuese artificiale dhe të panevojshme. Duhet të ritheksojë durimin dhe besimin se fryma bashkëpunues midis institucioneve për zbatimin e Kushtetutës do të prevalojë mbi thellimin e mosbesimeve të panevojshme", tha Meta. 

Ligji i koncesioneve/ Nisma e LSI për ndryshime
Ndërkaq Lëvizja Socialiste për Integrim i është drjetuar Kuvendit me një propozim sa i përket çështjes së shumë debatur së fundi të koncesioneve. Duke kërkuar më shumë transapremcë në këtë proces LSI propozon që kontratat e partneritetit publik- privat të kalojnë përmes Kuvendit, në rastet kur kapërcehet një mandat qeveritar.
 
"Lidhur me iniciativën e disa deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të rishikuar dhe përmirësuar legjislacionin lidhur me partneritetin publik-privat, apo edhe më drejtpërdrejt, me koncesionet, mendoj që z. Vasili dhe deputetët nënshkrues mund t’ju japin sqarime më të plota. Por Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet të gjitha format e partneritet publik-privat që sjellin investime dhe kontribut nga sektori privat, në rritjen e investimeve, në përmirësim e shërbimeve ndaj qytetarëve, ashtu sikurse opinioni është ngarkuar mjaft me një debat të jashtëzakonshëm lidhur me efektivitetin e tyre në përgjegjësi. Dhe ky nuk është një debat i sotëm, nuk është debat as i këtyre dy viteve apo tre viteve pas zgjedhjeve të qershorit 2013, por është një debat shumë më i hershëm. Prandaj ne besojmë që pavarësisht nga qëllimet spekulative që nxisin një pjesë të debatit, për të qenë sa më racional për të ardhmen, është e rëndësishme të ecim drejt thellimit të mëtejshëm të transparencës dhe të një përfshirje më të madhe të Kuvendit kur bëhet fjala për investime apo për koncesione apo për kontrata të cilat e kalojnë mandatin e një qeverie. Kjo do të rrisë përfshirjen e Parlamentit, do të rrisë përgjegjësinë e gjithë institucioneve të cilat propozojnë partneritete të tilla, dhe natyrisht do të rrisë besimin e publikut tek dobia e çdo partneriteti apo koncesioni që do të miratohet dhe do të lërë më pak vend për spekulime dhe manipulime të opinionit publik", tha Meta.

"Reforma në drejtësi do të realizohet në kohën e duhur"
I pyetur për reformën në drejtësi, dhe bashkëpunimin mes aktorëve politik në vend, Meta shprehur besim në realizimin e saj.
 
"Unë kam patur që në fillim besim të plotë se reforma në drejtësi do të realizohet në kohën e duhur dhe me cilësinë e duhur. Jam i habitur sepse shpesh dëgjoj alarme të panevojshme, pse nuk po miratohet, pse nuk po bëhet. Ndërkohë që e vërteta e padiskutueshme është që e gjithë axhenda e kësaj reforme, nga fillimi, pra nga ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi e deri më tani, ka ecur sipas afateve të parashikuara. Dhe dihet se ne kemi qenë dhe jemi të kushtëzuar në axhendën tonë për kurorëzimin e kësaj reforme, edhe nga axhenda e vetë Komisionit të Venecias, të cilin ne e kemi pranuar, të gjithë faktorët dhe të gjitha palët këtu, si gjykatësin më të mirë të standardeve europiane të kësaj reforme. Lidhur me çështjen e Byrosë së Hetimit, mendoj që kjo ka qenë çështje e diskutueshme për shkak të ankimimit të opozitës në Gjykatën Kushtetuese. Ne e kemi votuar ngritjen e kësaj Byroje që më parë sëbashku me Partinë Socialiste dhe deputetët e mazhorancës, dhe më pas debati është rikthyer për shkak të papajtueshmërisë që vlerësoi Gjykata Kushtetuese. Natyrisht ka pasur disa qëndrime të ndryshme, për të pritur Komisionin e Venecias për ta gjykuar vendosjen e Byrosë në kuadrin e gjithë ndryshimeve që do të pësojë sistemi ynë kushtetues dhe ligjor, apo për ta bërë më përpara. Ju e dini që ka pasur një insistim të Partisë Demokratike para disa javësh që kjo gjë të ndodhte menjëherë. Ne kemi qenë dakord dhe në momentin që qeveria e ka kaluar këtë iniciativë, ka patur një reagim tjetër që duhet pritur opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias. Kështu që edhe me këtë çështje unë kam besim të plotë që do të realizohet edhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe në përputhje me gjithë kuadrin e reformës në drejtësi", - tha Meta.
 
Ndryshimet në qeveri
Pyetjet nëse ka nevojë për ndryshime të reja në qeveri, Meta ju përgjigj se impulset e reja të cilave ai i referohet kanë të bëjnë me nevojën për përmirësim të punës së qeverisë nga të gjithë.
 
"Gjithmonë ka nevojë për impulse të reja, por natyrisht që jam jo gjithmonë në pajtueshmëri të plotë me ata që tek çdo impuls shikojnë ndonjë ndërrim ministri, apo zv. Ministri apo drejtori. Mendoj se ka shumë arsye që të gjithë të shohim se çfarë mund të përmirësojmë më tej në punën tonë, në performancën tonë, në të gjitha funksionet publike dhe mbi të gjitha mendoj që përmirësimi i klimës politike në vend është thelbësor. Është thelbësor për të përmirësuar edhe kulturën e zbatimit dhe të respektimit të ligjit, është thelbësor për të përmirësuar klimën e biznesit në vend, dhe është thelbësor për të dhënë mesazhe më të forta të optimizmit dhe të rritjes së standardeve të funksionimit të shtetit ligjor, po dhe të rritjes ekonomike të vendit. Sepse çdo konfliktim artificial, absolutisht që na shfokuson nga prioritetet kryesore që ka vendi dhe që mendoj që janë të përbashkëta, jo vetëm për mazhorancën, por edhe për opozitën, sepse në fund të fundit, çdo konflikt i tepërt, i panevojshëm, me karakter bllokues, është një kosto më shumë për të gjithë qytetarët tanë", tha Meta.
 
Këta deklarata Meta i dha në përgjigje të interesimit të gazetarëve, ndërsa doli në një konferencë për mediat në selinë e LSI-së për të folur për zgjedhjet në strukturat e kësaj force politike që pritet të nisin në mars, ndërsa aktualisht LSI ka në strukturat e saj 40 mijë anëtarë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin