Meta: Sektorin e peshkimit ta sjellim në parametra evropianë

TIRANË, 19 Dhjetor/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vizitoi portin e Peshkimit të Durrësit ku bashkëbisedoi me peshkatarët vendas për shqetësimet dhe mundësitë e reja të zhvillimit të këtij sektori.
Gjatë bashkëbisedimit me peshkatarët dhe administratorët në kuvertën e një prej anijeve të peshkimit, Kryetari i Kuvendit u njoh me shqetësimet e tyre në lidhje me aktivitetin e peshkimit, ndërsa i garantoi për mbështetjen e institucioneve shtetërore për zhvillimin e mëtejshëm.
Meta e vlerësoi si tepër të rëndësishëm sektorin e peshkimit dhe shprehu angazhimin maksimal të gjithë institucioneve për zgjidhjen e problemeve. Ai u njoh dhe me portin e ri të peshkimit, i cili është në ndërtim e sipër. Kapiteni dhe bashkëpronari i një prej anijeve më moderne të flotës së peshkimit me teknologji të re, Përparim Zaimi, shpjegoi disa nga risitë dhe kapacitetet që kanë anijet e reja.
Ndërsa, në një prononcim për mediat, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u shpreh se aktualisht flota e peshkimit do t'i nënshtrohet një rinovimi. Sipas tij, do të realizohet edhe një rivlerësim i saj duke synuar pajisjen me mjete moderne, me kapacitete peshkuese më të mëdha dhe sidomos me teknologji të re.
"Synimi është që të rrisim kapacitetet shfrytëzuese të peshkimit, duke arritur natyrisht kuota peshkimi që nuk i kemi njohur më parë. Për këtë arsye ne kemi rënë dakord edhe mbi bazën e sugjerimit të shoqatës së peshkimit të bëjmë një rivlerësim të flotës duke synuar pajisjen me mjete moderne me kapacitete peshkuese më të mëdha dhe sidomos me teknologji të re", tha ministri.
Panariti komentoi edhe portin e ri të peshkimit, që do të bëhet funksional së shpejti e që do të jetë një mundësi e shtuar për të parkuar anijet e peshkimit. "Synimi ynë edhe mbi bazën e sugjerimit të peshkatarëve dhe shoqatës së peshkimit është që shumë shpejt të nisim një investim për ndërtimin e një kantieri për riparimin e anijeve të peshkimit. Ajo që është më e rëndësishme dhe që do t'i japë një vlerë të shtuar dhe do të konsolidojë zinxhirin e vlerave të peshkimit është ndërtimi i një merkatoje të re të peshkut, e cila do të jetë një objektiv që do të realizohet shumë shpejt. Në këtë mënyrë, e shoqëruar edhe me një shkollë peshkimi, e cila do të bëjë të mundur kualifikimin dhe specializimin e peshkatarëve, ne mbyllim një zinxhir vlerash në peshkim", tha Panariti.
Ai theksoi se Qeveria shqiptare me paketën e saj të bujqësisë ka marrë një masë shumë të rëndësishme për uljen e kostos së peshkimit. "Ne hoqëm taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit për naftën, e destinuar për peshkarexhat, për të bërë të mundur uljen me 70 lekë të reja të çmimit për një litër naftë. Në këtë mënyrë rritet interesi, si dhe kapaciteti për të peshkuar me kosto më të ulët dhe me aftësi më të mëdha konkurruese", tha ministri.
Sipas tij, gjithë ky zinxhir vlerash që po konsolidohet duke filluar nga Durrësi, synon të zgjerohet edhe në Lezhë, Vlorë e Sarandë.
"Ne do t'i japim frymëmarrje sektorit të peshkimit për ta bërë atë konkurrues duke qenë se Shqipëria ka plot 410 kilometra vijë bregdetare. Dhe e kombinuar dhe me shfrytëzimin e ujërave të brendshme ne do ta sjellim sektorin e peshkimit në parametrat evropiane dhe do ta bëjmë atë konkurrues edhe me fqinjët", tha Panariti.
Më pas, kryeparlamentari vizitoi ambientet e kompanisë "Koral", një nga më modernet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve të detit brenda dhe jashtë vendit, e cila ka punësuar rreth 160 punonjës, ndërsa zotëron edhe disa anije peshkimi. Administratori i kësaj kompanie, Helidon Rruga shprehu mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të aktivitetit, sidomos në fushën e përpunimit.
/a.s/ /a.g/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve