Një ditë pasi SPAK paraqiti në GJKKO listën e dëshmitarëve që do të thërrasë në procesin ndaj tij, Ilir Meta është hedhur në kundërsulm, duke paralajmëruar se edhe mbrojtja e tij do të kërkojë dhjetëra dëshmitarë, mes tyre diplomatë, zyrtarë amerikanë, dhe përfaqësues të kompanive lobuese të përfshira në dosje.
Kreu i Partisë së Lirisë thotë se “koha e deduksioneve mbaroi” dhe se në gjyq do të dalin fakte që, sipas tij, nuk janë hetuar prej 8 vitesh. Në postimin e tij, Meta tha se do të kërkojë edhe dëshminë e aksionerëve dhe drejtuesve të DIA në Uashington, drejtuesve të McKeon Group, si dhe të ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal përmes letërporosive.
"Koha e deduksioneve mbaroi, gati për të bërë hetimet që nuk ndodhën për 8 vjet. Mirëpresim rreth 100 dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria e Posaçme dhe veçanërisht tre super-kallëzuesit. Edhe ne do të kërkojmë rreth 100 dëshmitarë të tjerë, nga të cilët rreth 40 shtetas të huaj, kryesisht qytetarë, diplomatë dhe zyrtarë amerikanë, përfshirë të gjithë përfaqësuesit e kompanive lobuese që kanë bërë kontrata me LSI. Ftesë të veçantë do të ketë për të gjithë aksionerët dhe drejtorët e DIA-s së Uashingtonit, si edhe për drejtuesit e McKeon Group, përfshi edhe avokatin greko-amerikan Fidetzis. Për shkak të pamundësisë së Charles McGonigal për t’u paraqitur personalisht në gjykatë, i cili po bën burg në SHBA për Edi Ramën dhe po vuan për dëmin katastrofik që u bëri marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, do t’i drejtojmë edhe atij përmes gjykatës një sërë pyetjesh përmes letërporosive" shkruhej në postimin e sotëm të Metës në Facebook
Reagimi i Metës vjen pasi në seancën e kësaj jave SPAK paraqiti qëndrimin e tij për episodin e lobimit të LSI-së në SHBA, duke renditur pretendimet për kontratat e lidhura me kompaninë DSIS dhe duke kërkuar dëgjimin e dhjetëra dëshmitarëve në proces.
Ilir Meta ndodhet në burg prej datës 21 tetor 2024, kur u arrestua me urdhër të SPAK-ut.
Ai po mbahet në paraburgim në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor lidhur me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Çështja e tij vazhdon të jetë në shqyrtim nga Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO).
Komente










