Meta s’u paraqit në Komisionin e Ligjeve, presidenca i përgjigjet akuzave të deputetëve të maxhorancës: Shpifje! Kishte takim të planifikuar me Ministren për BE-në e Austrisë

Meta s’u paraqit në Komisionin e Ligjeve, presidenca i përgjigjet akuzave të deputetëve të maxhorancës: Shpifje! Kishte takim të planifikuar me Ministren për BE-në e Austrisë

Presidenti Ilir Meta

Presidenca ka reaguar pasi Presidenti Ilir Meta nuk u paraqit ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve, ku ishte thirrur për të dëgjuar argumentet e 50 deputetëve socialistë që kanë kërkuar shkarkimin e tij, veprim ky që nga deputetët e maxhorancës u interpretua si akt që synon të nxjerrë jashtë afateve punën e Kuvendit për shkarkimin e tij.

Me një reagim, Presidenca i quan “shpifje dhe qëndrime aspak korrekte të deputetëve të Kuvendit njëpartiak”, duke thënë se Presidenti kishte planifikuar që më 29 mars një takim me Ministren për BE-në e Austrisë Karoline Edtstadler.

Sipas reagimit, Qeveria ka qenë e njoftuar për axhendën e Presidentit, duke akuzuar Kuvendin për “blofe” dhe qëndrime jo korrekte.

“Sigurisht, që Presidenti i Republikës, nuk mund të anulonte apo të shmangte sot agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën ishin të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit, siç ishte edhe takimi i mëpasshëm me Presidentin e Sllovenisë, Sh.T.Z Borut Pahor. Blofet e Kuvendit njëpartiak nuk çudisin më askënd, pasi ishte ky Kuvend, që për hir të Partisë i shtoi kushtet e integrimit europian Shqipërisë dhe shkallmoi pabesisht Marrëveshjen ndërpartiake të 5 Qershorit për Kodin Zgjedhor, pasojat e së cilës janë skandaloze me shumëfishim të krimeve zgjedhore”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë: 

Në përgjigje të interesimit të kolegëve gazetarë dhe pasi u njohëm me shpifjet dhe qëndrimet aspak korrekte të deputetëve të Kuvendit njëpartiak, lidhur me arsyet e mospranisë së Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Ligjore, sqarojmë se:

Në datën 28 prill 2021, siç faktohet edhe nëpërmjet këtij komunikimi zyrtar me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, Presidenti i Republikës është vënë në dijeni me një kërkesë për takim, për në datën 6 maj 2021, të Ministres Federale për BE-në dhe Kushtetutën të Austrisë, znj.Karoline Edtstadler.

Në datën 29 prill 2021, Drejtori i Kabinetit të Presidentit, në përgjigjen e dërguar për MEPJ ka shprehur zyrtarisht vullnetin e Kreut të Shtetit për takimin me znj.Edtstadler dhe po këtë ditë Drejtoria e Protokollit të Shtetit ka sugjeruar që takimi, sipas axhendës së përgatitur në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Tiranë, të zhvillohej në datë 6 maj 2021, në orën 11:15 - 11:55.

Edhe ky sugjerim i propozuar, është mirëpritur nga ana e Presidentit Meta dhe është fiksuar në axhendë po atë ditë, më 29 prill 2021.

Ndërkohë në datën 5 maj 2021, Komisioni për Çështjet Ligjore, me anë të një komunikimi të përcjellë në rrugë elektronike dhe shkresore pas orës 14:00 në Institucionin e Presidentit të Republikës, ka kërkuar, që Kryetari i Shtetit të marrë pjesë në datën 6 maj 2021, ora 11:00, në një seancë dëgjimore.

Presidenti Meta, siç është bërë me dije edhe në shkresat e Institucionit të Presidentit të Republikës me nr. prot.1520/2, datë 5.5.2021 dhe nr. prot. 1533/2, datë 6.5.2021, drejtuar Komisionit për Çështjet Ligjore, ka shprehur gadishmërinë e Tij për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me dhe në Komisionin e Ligjeve, por në datën 10 maj 2021.

Kjo edhe për shkak se axhenda e Tij për datën 6 maj 2021, ishte e paracaktuar dhe për këtë ka qenë në dijeni edhe Qeveria, siç faktohet nga këto dy dokumenta, që provojnë edhe njëherë nivelin banal të akuzave dhe shpifjeve të sotme të deputetëve të Kuvendit njëpartiak, gjoja për shmangien e Presidentit nga ballafaqimi me ta.

Ky komunikim zyrtar mes Institucionit të Presidentit dhe MEPJ, vërteton botërisht jo vetëm se Qeveria, nga i merr urdhërat Kuvendi njëpartiak, ishte në dijeni të axhendës së sotme të Kreut të Shtetit, por fakton para të gjithë shqiptarëve edhe banalitetin e pretendimeve të deputetëve në skadim mandati.

Sigurisht, që Presidenti i Republikës, nuk mund të anulonte apo të shmangte sot agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën ishin të planifikuara prej kohësh realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit, siç ishte edhe takimi i mëpasshëm me Presidentin e Sllovenisë, Sh.T.Z Borut Pahor.

Blofet e Kuvendit njëpartiak nuk çudisin më askënd, pasi ishte ky Kuvend, që për hir të Partisë i shtoi kushtet e integrimit europian Shqipërisë dhe shkallmoi pabesisht Marrëveshjen ndërpartiake të 5 Qershorit për Kodin Zgjedhor, pasojat e së cilës janë skandaloze me shumëfishim të krimeve zgjedhore.

Dokumentet e publikuara nga Presidenca
 


Lajmi kryesor:

'Ligjet' miratojnë raportin: Të ngrihet Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit! Meta i refuzon sërish: Kam axhendë, shihemi me 10 maj! Manja: Tentativë të djegë afatet!


Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU