Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur një grup turistësh nga Izraeli, të cilët ishin të shoqëruar nga ambasadori i tyre Boaz Rodkin si edhe ish-ambasadori David Cohen. Takimi i zhvilluar në presidencë kishte për qëllim promovimin e turizmit, kulturës e traditave shqiptare.
Në fjalën e tij për të pranishmit, Meta u shpreh se fokusi mbetet tek forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, teksa shtoi se Izraeli ka një potencial të jashtëzakonshëm për të qenë pjesë e zhvillimeve ekonomike të Shqipërisë.
Presidenti Ilir Meta gjatë fjalës para turistëve izraelitë
Ndër të tjera, Meta e vuri theksin edhe në kontributin historik që ka dhënë Shqipëria, si asnjë vend tjetër në Evropë, në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Jam ndjerë shumë krenar për vendin tim dhe për kombin tim kur kam vizituar ‘Yad Vashem’-in. Kur kam parë në hartën e Evropës se si ishte zhvendosur popullsia hebreje në vende të caktuara të kontinentit para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria, për krenarinë e të gjithë ne shqiptarëve sot, kishte pas Lufte shumë herë më tepër hebrenj se përpara saj dhe se asnjë hebre nuk iu dorëzua pushtuesve. Kjo dëshmon forcën e madhe të humanizmit dhe të solidaritetit të kombit tonë dhe jo për koincidencë Nënë Tereza është me origjinë shqiptare.
Ilir Meta, president