Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Çekisë, Jaroslav Ludva. Përmes një postimi në Facebook, Meta bën me dije se ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e ofruar nga Çekia për të shuar zjarret që kanë përfshirë vendin tonë përmes helikopterit të mbërritur 4 ditë më parë.
Ndër të tjera Meta shkruan se i ka uruar sukses ambasadorit në detyrën që sapo ka marrë si Dekan i Trupit Diplomatik në Shqipëri
"Një takim i përzemërt me Ambasadorin e Çekisë, Sh.T.Z Jaroslav Ludva. E falënderova me mirënjohje për ndihmën e çmuar dhe mbështetjen konkrete të Çekisë me operacionet nga ajri për shuarjen e zjarreve, aq të nevojshme në këtë situatë të vështirë. E përgëzova dhe i urova shumë suksese në detyrën shumë të rëndësishme, që sapo ka marrë, si Dekan i Trupit Diplomatik në Shqipëri", shkruan Meta.
Kujtojmë që me datë 4 gusht në vendin tonë mbërritën 3 helikopterë, 2 nga Holanda dhe 1 nga Çekia. 3 helikopterët mbërritën në vendin tonë në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian për të përballuar situatën me zjarret.