Gjatë takimit Presidenti Meta u shpreh i kënaqur që një vend si Finlanda ka treguar vëmendje të vazhdueshme për rajoni tonë dhe për Kosovën në veçanti.
Duke i uruar ministrin finlandez për festën e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Meta ka theksuar se do të vijojnë bashkëpunimet në aspektin ekonomik dhe në fushën e turizmit, pasi një marrëdhënie e tillë krijon mundësi bashkëpunimi dhe zhvillim më të shpejtë.
Njoftimi i zyrës së Presidentit të Republikës Ilir Meta i shpërndarë për mediat:
Presidenti Meta takohet me Ministrin e Jashtëm të Finlandës, z. Timo Soini
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë u takua dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, z. Timo Soini, i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që një vend evropian si Finlanda e ruan vëmendjen ndaj rajonit tonë dhe ndaj Kosovës në veçanti, duke e konsideruar të domosdoshme dhe me rëndësi të madhe prezencën dhe vëmendjen e shtuar të Bashkimit Evropian për Kosovën.
Z. Meta theksoi se BE duhet të përcaktojë një perspektivë të qartë evropiane për Kosovën, pasi ky proces mbetet një nxitës dhe motor i fuqishëm për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Duke uruar Finlandën për 100-vjetorin e pavarësisë së saj, Presidenti Meta shprehu interesin që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të zgjerohen më tej, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe në fushën e turizmit.
Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com










