TIRANË -  Presidenti Ilir Meta priti në një takim Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacolli, njëherazi, ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Presidenti Meta e falenderoi Pacolli për mbështetjen dhe ndihmën e vyer të autoriteteve të Kosovës, dhe veçanërisht për angazhimin e tij personal, për të kontribuar me një ndihmë financiare prej rreth 1 milion euro, për tejkalimin e pasojave të rënda të tërmetit të 26 nëntorit.

Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të Presidencës, Pacolli shprehu gatishmërinë për të filluar sa më parë projektin e tij bamirës për ndërtimin e banesave të reja të familjeve në Thumanë, që humbën shtëpitë e tyre nga kjo fatkeqësi natyrore.