TIRANE- Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në një takim raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikola Vuljaniç. Gjatë takimit, Meta e siguroi z.Vuljaniç për konsensusin e gjerë mes palëve politike përsa i takon integrimit të saj në BE.

Një ditë pas prezantimit të progres-raportit të KE për Shqipërinë, kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë për rekomandimin e Komisionit Europian për dhënien e Statusit të Vendit Kandidat.

“Shqipëria është e angazhuar maksimalisht për kryerjen e këtyre hapave të duhur për konfirmimin e këtij propozimi në muajin dhjetor 2013”, theksoi Meta.

Ndërkohë që Vuljaniç shprehu optimizëm për atmosferën pozitive të krijuar për Shqipërinë në PE. “Situata juaj pozitive është një gjë e mirë për ne dhe besoj se kjo do të reflektohet në pritshmëritë në procesin e integrimit”, tha Vuljaniç.

Ndërsa përshëndeti qëndrimin konsensual të të gjitha palëve politike lidhur me idenë e integrimit të saj në BE, Vuljaniç shtoi se “fjala kyç duhet të jetë kompromisi për të gjitha palët politike, në mënyrë që zëri i opozitës të dëgjohet”.

Më tej, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, nënvizoi se prioriteti kyç i axhendës politike do të jenë reformat në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, reformat administrative; reforma që na afrojnë me BE-në.

“Gjërat do të shkojnë më mirë përsa i përket debatit politik. Qëllimi ynë nuk është që të provokojmë opozitën edhe pse ne kemi shumicën, por do t’i japim atyre hapësirën e duhur. Ne jemi të angazhuar për të patur një dialog me opozitën dhe së shpejti ajo do të jetë prezent në parlament për të kontribuuar në debatet e saj parlamentare. Për ne është shumë e rëndësishme që të arrijmë progres çdo ditë”, theksoi Meta.

Në fund të takimit Meta garantoi vullnet të plotë të institucioneve shqiptare për të bashkëpunuar ngushtë me Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian.

EURODEPUTETI KROAT ME ZV.MINISTRAT E INTEGRIMIT: FRYMË POZITIVE NË PE PËR SHQIPËRINË
Eurodeputeti kroat, Nikola Vuljaniç vizitoi sot në cilësinë e Raporterit të ri për Shqipërinë, Ministrinë e Integrimit Europian. Gjatë takimit me dy Zv. Ministrat, Majlind Lazimi dhe Gentian Elezi, Eurodeputeti Vuljaniç u shpreh optimist për atmosferën e përgjithshme në Parlamentin Evropian në lidhje me progres -raportin e Komisionit dhe rekomandimin për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

Ai theksoi se pritet që diskutimet mbi projekt-rezolutën të jenë gjithashtu pozitive.

“Ky është një moment favorizues për Shqipërinë që duhet ta shfrytëzoje pozitivisht duke arritur kompromisin e gjerë nga të gjithë aktorët në këtë proces dhe duke mundësuar kështu dëshirën e 87% te Shqiptareve për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Vuljaniç.

Dy zv.ministrat siguruan Eurodeputetin se qeveria shqiptare është duke ndërmarrë hapa konkretë për ta çuar më tutje procesin e integrimit në BE, ndërsa shtuan se “axhenda e integrimit Europian është një axhendë kombëtare dhe se klasa politike Shqiptare duhet ta gjejë gjuhën e kompromisit për të ecur përpara”.
vuljanic, integrim

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)