Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot në një takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë, Roberto Montanella.
Presidenti Meta vlerësoi punën e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për paqen, stabilitetin dhe demokracinë nëpërmjet mbrojtjes, respektimit dhe promovimit të standardeve më të larta për forcimin e institucioneve demokratike, të drejtat e njeriut, dhe fusha të tjera të sigurisë.
Presidenti vuri në dukje se Shqipëria mbështet të gjitha aktivitetet e OSBE-së dhe jep kontributin e saj modest por të vendosur.
Kreu i Shteti theksoi se vëmendja është përqendruar në zbatimin e reformave në fusha kyçe që lidhen me përparimin drejt integrimit evropian, duke shpresuar që në qershor Këshilli Evropian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE.
Ndër sfidat e afërta, Presidenti Meta nënvizoi domosdoshmërinë e përparimit me reformën zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. “Është tejet e rëndësishme që Shqipëria të përmbyllë një herë e mirë kapitullin e zgjedhjeve me probleme”, theksoi Kreu i Shtetit.