Përballë nismave të socialistëve e demokratëve, që në thelb qëllim duket se kanë largimin e tij nga politika, Ilir Meta thotë se edhe Partia e Lirisë është e përgatitur. Duke komentuar propozimet ligjore të PS në parlament, ish presidenti sulmoi sërish kryeministrin Rama dhe Autoritetin e Dosjeve.

Meta thotë se është pro hapjes së dosjeve, por pretendon se është falsifikim dosja ku thuhet se politikani I.M., ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit.

"Ligji i ashtuquajtur i spiuneve është ligj që e ka bërë vetë PS në 2015 sipas modelit gjoja gjerman, e ka shkelur vetë PS me përfaqësuesit e saj në autoritetin e Dosjeve qëndrimi ynë si Parti e Lirisë, dhe i imi si politikan ka qenë hapja e dosjeve dhe demonstrimi i tyre përpara opinionit publik për cilindo që do të zgjidhet ndërsa për rastin konkret ju e dini që kemi të bëjmë me një falsifikim shumë të trashë dhe idiot të Edi Ramës dhe gjithë kukullave të tij tek autoriteti i manipulimit të dosjeve dhe në arkiva të tjera shtetërore. Dekomunistizimi dhe denazifikmi i Shqipërisë fillon me shporrjen e Ramës dhe kukullave të tij", tha Meta.

Gjithashtu duhet të kërkohet testi i drogës për politikanët, kurse për protestat e opozitës do të njoftohet brenda 24 orëve.

"Partia e Lirisë dhe Petrit Vasili mund t’u njohë me nismat për integritetin e personave publikë ku përveç kontrollit të shëndetit mendor e psiqik që është emergjent në mënyre të veçantë për kryeministrin aktual sjellja e fundit është skizofrenike në gjithë dimensione e saj e po kështu për testin e drogës për gjithë politikanët e iniciativa të tjera", tha Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë thotë se godina e Parlamentit, do të jetë vendi ku do të përqëndrohen protestat e opozitës, data për të cilat do të njoftohen brenda 24 orëve. Gjithashtu teksa paralajmërohet krizë energjetike, Ilir Meta thotë duhet të mbrohen qytetarët nga rritja e çmimeve. Sot bëri të njohur projektligjin e nënshkruar nga deputetët e Partisë së Lirisë për indeksimin e pagës së punonjësve të administratës publike që do ta çojnë për shqyrtim në Kuvend.

“Synohet vendosja e një rregulli për të mbrojtur punonjësit nga rritja e çmimeve. Rritja ekonomike është por pagat nuk janë rritur, rritja galopante e çmimeve për 2022 ka krijuar një situatë shumë të rëndë ekonomike dhe sociale. Indeksimi i pagës minimale është e nevojshme. Për efektet, rritja e pagës reale ka efekte pozitive sepse rritet mirëqenia. Rritet fuqia blerëse dhe ajo e konsumit, mundëson rritjen e të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duke përmirësuar bilancin. Indeksimi i pagave detyrim, të bëhet në 1 korrik të çdo viti”, tha Meta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:30
PS e PD nismë për ish spiunët, Meta: Ne duam testin e drogës

 

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta vijon të këmbëngul që kryeministri Edi Rama të bëjë testin e drogës. Ai thotë se është e nevojshme që përveç drogës të bëhet edhe kontrolli i shëndetit mendor e psiqik.

“Partia e Lirisë dhe Petrit Vasili mund t’u njohë me nismat për integritetin e personave publikë ku përveç kontrollit të shëndetit mendor e psiqik që është emergjent në mënyre të veçantë për kryeministrin aktual sjellja e fundit është skizofrenike në gjithë dimensione e saj e po kështu për testin e drogës për gjithë politikanët e iniciativa të tjera”, tha Meta.

Ora 14:25
Ilir Meta: Nesër do të paraqes në prokurori kallëzime të reja për falsifikimet idiote

 

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë me dije se ditën e nesërme, avokati i tij do të paraqesë në prokurori kallëzime të reja për ato që i quan falsifikime idiote. Për këtë i referohet dosjes së Autoritetit të Dosjes që përmend Ilir Metën si bashkëpunëtor të ish Sigurimit të Shtetit.

“Ju e dini që kemi të bëjmë me një falsifikim shumë të trashë dhe idiot të Edi Ramës dhe gjithë kukullave të tij tek autoriteti i manipulimit të dosjeve dhe në arkiva të tjera shtetërore. Falsifikimi është bërë evident e kam bërë kallëzim penal për anëtarët e këtij autoriteti që ia kam adresuar dhe SPAK.

Dje jam njoftuar nga SPAK që e kanë kaluar për kompetencë te Prokurorisë dhe hapi i dytë i imi ka qenë pajtimi apo zgjedhja e një avokati jo mbrojtës por sulmues, e ky është Genc Gjokutaj, sulmues se ne jemi në sulm, se jemi kallëzues, jo të kallëzuar për këtë çështje e nga nesër Gjokutaj do paraqitet në prokurori se kemi kallëzime të reja shtesë për falsifikimet e tjera idiote që kanë bërë këta duke shkelur ligjin e duke falsifikuar materiale ordinere.

Dekomunistizimi dhe denazifikmi i Shqipërisë fillon me shporrjen e Ramës dhe kukullave të tij, kudo qe ndodhen me rivendosjen e shtetit te se drejtës, kushtetshmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave themelore përfshirë dhe lirinë e medias e gazetarëve”, u shpreh Meta.

Ora 14:14
Meta: Do më shihni shpesh para Kuvendit! Protesta e parë do të njoftohet në këto 24 orë

 

Ashtu siç ka paralajmëruar, Ilir Meta njoftoi se Partia e Lirisë do të nisë protestat së shpejti. Në një konferencë për mediat, Meta u shpreh se do këtë sesion të ri parlamentar do të shfaqet shpesh para Kuvendit për të protestuar.

“Nuk do të habitemi që si kryetar i Partisë së Lirisë të jem vazhdimisht përpara parlamentit së bashku me ata qytetarë që ndjehen të pa përfaqësuar nga një parlament me vota te vjedhura. Si rezultat i kësaj forca më e dëmtuar ishte ish LSI, që në vend që të kishte 12 ka vetëm 4 mandate. Edhe kësaj force politike qëndron në sheshe, tek njerëzit. Aty do ta shprehë me forcën më të madhe, jo vetëm me deputetët por edhe me zërin e qytetarëve”, tha Meta.

Gjithashtu shtoi se data e protestës së parë do të bëhet e ditur brenda 24 orëve.

“Shumë shpejt protesta e parë do të njoftohet në këto 24 orë. Do të ketë vazhdimisht protesta. Kjo do të ndodhë kur unë të konsultohem me drejtuesit e tjerë të Partisë së Lirisë”, tha Meta.