TIRANË – Kreu i LSI-së, Ilir Meta, e ka vlerësuar sot, debatin për taksat që po zhvillohet ndërmjet dy forcave të mëdha politike, por duke theksuar se këto debate nuk duhet të jenë qëllim në vetvete, sepse “taksat, s’janë qëllim në vetvete, por janë instrument, dhe ne jemi të interesuar për këtë”.

Ilir Meta ka qënë sot në një takim me drejtuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranë, të cilët i kanë paraqitur, një paketë propozimesh, që biznesmenët ia kanë paraqitur forcave politike, për t’i marrë parasysh në programet e tyre qeverisëse.

Meta tha se kjo “paketë synon që të adresohen më shpejt dhe me më efikasitet, shqetësimet e komunitetit të bzinesit në vendin tonë, ç’ka do t’i jepte një dinamikë tjetër ecurisë së biznesit”. “Situata në të cilën ndodhet vendi ynë, sidomos ajo në të cilën ndodhen vendet që janë partnerë ekonomikë dhe tregtarë”, - tha kreu i LSI-së, -“e bën më të domsodshme një qasje tonë dhe një klimë më pozitive për biznesin, si gjeneratori i ekonomisë së vendit dhe punëdhënësi më i madh, me 85% të të punësuarve në vend. Ndaj, është e domosdsomshme të përqëndrohemi më shumë në realizimin e atyre politikave, që do mbështesin prodhimin vendas, që garantojnë një kreditim, përmirësim të klimës së biznesit, thithje të investimeve të huaja direkte si dhe një rritje të qëndrueshme të vendit; është e rëndësishme”, - tha ai, - “rritja e ekporteve shqiptare “Made in Albania”.

“LSI-ja e konsideron biznesin”, - tha ai më tej, -“si partnerin më të rëndësishëm të shoqërisë për zhvillimin më të shpejtë ekonomik në luftën kundër varfërisë dhe që duhet të jetë i respektuar. Biznesi sot nuk është në pozita të barabartë me shtetin, se nëse ska paguar detyrimet, ai paguan gjobat, por nuk ndodh e njëjta gjë kur shteti s’i përgjigjet atij me rimbursimin. shteti nuk merr gjoba”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)