Presidenti Ilir Meta ditën e sotme në konferencën e jashtëzakonshme që thirri për mediat bëri një deklaratë të fortë drejtuar shqiptarëve. Ai tha se nëse shumica do të kapë Gjykatën Kushtetuese, popullit i mbeten tre rrugë për të reaguar, njëra nga të cilat, që të kapë armët dhe të ngrihet.

"Duan t’i dalin në mbrojtje atij (Ardian Dvorani) me rezolutë, kuptohet se kjo është normale pasi ai nuk i ka bërë padashje këto veprime. Këto janë shumë të mirë dokumentuara se çdo gjë është e qëllimshme. Përse? Për të kapur edhe Gjykatën Kushtetuese sepse të gjitha i kanë kapur.

Nëse këta marrin edhe Gjykatën Kushtetuese, njerëzve u ngelin tre rrugë. Ose njerëzit të marrin armët për ndryshim, që është e papranueshme, ose të bëhen skllevër të një regjimi njëpartiak ose të ikin të gjithë nga Shqipëria. Të treja të papranueshme, por ato dy të fundit tmerrësisht të papranueshme. Është detyra e Presidentit të mbrojë këtë proces kushtetueses" tha ai.

Duke u rikthyer tre vite pas në kohë rezulton se një thirrje të tillë ekstreme, përpos Ilir Metës sot e ka bërë edhe 'dobësia' e tij, Sali Berisha. Nga foltorja e Kuvendit në 21 prill të vitit 2016 ish-kryeministri Berisha u bëri një thirrje të fortë shqiptarëve, që të pajisen me armë pasi qeveria nuk ofron më siguri.

Unë kam një thirrje për shqiptarët: Merrni armë e armatosuni se s’keni siguri me këtë qeveri, për të mbrojtur pronat tuaja. Armatosuni! U bëj thirrje shqiptarëve të armatosen, të sigurojnë armë, për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre se nuk kanë asnjë siguri, u bëj thirrje, nëse ju organizatë kriminale mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët me bandat tuaja, ju garantoj se ne dhe qytetarët jemi të gatshëm të ua kthejmë me të njëjtin mjet dhe të mos gjeni vrimë miu ku të futeni”- deklaroi Berisha.