Presidenti i Republikës Ilir Meta këtë të dielë ka lënë zyrën dhe shtëpinë për të udhëtuar drejt vendlindjes së tij. Edhe pse në periudhë pandemie dhe izolimi ku për të lëvizur duhet një arsye e fortë, Meta ka mundur të udhëtojë në Çepan, në vendlindjen e tij ku duket shumë i lumtur.

Përveç një video që tregon natyrën, Meta shkruan: "Nga vendlindja ime, Çepani, ju uroj të gjithëve një të diel të mbarë!"

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:40
Meta vijon thyerjen e karantinës: Pas Çepanit së shpejti në Blush


Presidenti Ilir Meta vijon vizitën në fshatin e tij në Çepan të Skraparit. Mesditën e sotme kreu i shtetit ka publikuar një tjetër foto nga vendlindja këtë herë me zëdhënësin e tij, Tedi Blushi pa respektuar distancën. Por nuk mbaron me kaq, pasi Meta shkruan se pas Skraparit udhëtimi i tij do të vijojë edhe në fshatin Blush, që ndodhet në Kolonjë. "Me Tedin sot në Çepan, dhe së shpejti në Blush" thotë Meta.

Ora 11:44
Jo vetëm që theu karantinë, Meta shkon edhe për ngushëllime në fshatin e tij


Presidenti Ilir Meta ka postuar një foto nga vizita që po bën në fshatin e tij në Skrapar. Kreu i shtetit jo vetëm që theu karantinën, por shkruan se ka shkuar edhe për ngushëllime në një familje. Specialistët e shëndetësisë kanë rekomanduar që në këtë kohë pandemi ndalohen vizitat dhe takimet për të parandaluar mundësinë e përhapjes së COVID-it. Megjithatë pavarësisht kësaj, Meta sot u nis për në Skrapar dhe po bën disa vizita në fshatin e tij.

"Në këto javë të veçanta edhe komuniteti i Çepanit humbi një nga drejtuesit më të shquar dhe me kontribute të mëdha për shumë dekada z.Servet Basho. Evidentimi prej Tij i kontributeve të jashtëzakonshme që kjo trevë dhe Çepani në veçanti dha gjatë Luftës Antifashiste, mbeten me shumë vlerë edhe për të ardhmen. Sot vizitova djalin e tij Isain, për t'i shprehur ngushëllimet e mia, por dhe mirënjohjen që ruan traditat më të mira të familjes së tij dhe mbarë këtij komuniteti patriot dhe punëdashës" shkruan Meta.