Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në rrjete sociale ka reaguar për protestën e qytetarëve që preken nga rikualifikimi urban dhe rindërtimi. Ai thotë se e mbështet kauzën e tyre, pasi pronat po vidhen në dhunim të ligjit për t'i hapur rrugë ndërtimit të pallateve ku pastrohen parat e krimit të organizuar. Në postimin e bërë në rrjetet sociale, Meta thekson se nuk ka pasur asnjë transparencë dhe komunikim me qytetarët. Ndërsa, të bashkuar thotë se do të largojmë pushtuesit e sektit rilindas nga zyrat e shtetit shqiptar.

'Partia e Lirisë mbështet plotësisht kauzën e drejtë të qytetarëve për të mbrojtur shtëpitë e tyre nga projektet e mafies së inceneratorëve.

Pa asnjë trasparencë dhe komunikim me qytetarët, Qeveria duke vepruar si banditët, ka rrëmbyer pronat dhe banesat e tyre.

Ne solidarizohemi plotësisht me luftën e tyre për mbrojtjen e pronës, të shtëpive dhe të familjeve të tyre.

Pronat e qytetarëve po vidhen në dhunim të ligjit për t'i hapur rrugë ndërtimit të pallateve ku pastrohen parat e krimit të organizuar

Partia e Lirisë ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë në krah të qytetarëve.

Të bashkuar do t'i largojmë pushtuesit e sektit rilindas nga zyrat e shtetit shqiptar!'- shkruan Meta në Facebook 

 Kujtojmë se në protestën e djeshme e cila zgjati rreth një orë, qytetarët u mblodhën përpara bashksië së Tiranës për rikualifikimin urban dhe rindërtimin.

Në protestën para bashkisë ishin banorët e 5 majit, zonës së Laprakës, Lanës, Kombinatit, Kodrës së Priftit dhe Babrrusë.