Z. Meta, në këndvështrimin tuaj, ky vit që po mbyllet ka qenë një vit pozitiv?
Mendoj se mund të kishte qenë edhe më pozitiv në drejtim të një stadi më të lartë që mund të kishte vendosur Shqipërinë në marrëdhënie me Bashkimin Europian por sidoqoftë në përgjithësi mbetet një vit pozitiv. U zhvilluan zgjedhjet vendore pavarësisht se u bënë parashikime tepër pesimiste që Shqipëria nuk ishte në gjendje të mbante zgjedhje por ato u realizuan në mënyrën më të qetë, më evropiane dhe po kështu edhe fundi i vitit duket se ka sjellë disa reflektime pozitive nga ana e opozitës e cila është distancuar nga politika 2-vjeçare e bojkotit, e konfliktit permanent me institucionet duke u rikthyer në Parlament dhe duke dhënë disa shenja të bashkëpunimit për disa reforma të domosdoshme që duhen realizuar edhe në drejtim të marrjes së statusit të Vendit Kandidat për në BE nga ana e Shqipërisë.
Është e besueshme, duhet t’i besojmë kësaj atmosfere e cila duke se na ka afruar me Europën?
Unë do të dëshiroja të besoja sa më shumë megjithatë ka ende kohë për ët dhënë një gjykim më të plotë. Ajo që mund të them me bindje është se unë dëshiroj që të ecet me këtë rrugë për arsye se politika nuk mund të jetë në një konflikt të vazhdueshëm, të përhershëm që nuk i shërben qytetarëve të cilët presin politika më të mira nga qeveria por edhe politika dhe alternativa më të mira se ato të qeverisë nga ana e opozitës. Unë mendoj se zgjedhjet bëhen një herë në katër vite dhe fushatat bëhen një herë në katër vite dhe jo në mënyrë të vazhdueshme për arsye se janë një kosto për vendin, juanë kosto për qytetarët. Unë besoj se edhe PS e kuptoi që nga politika e konfliktit nuk mund të fitonte as kredibilitetin elektoral që i duhet për të realizuar synimet e saj politike dhe elektorale dhe as kredibilitet ndërkombëtar që i duhet një opozite për të qenë një partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e të gjithë partnerëve të tjerë sepse Shqipëria sot është një vend i integruar dhe ka një rrugë pa kthim të integrimit.
Z. Meta, jemi në mesin e mandatit e bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike. Në një marrëdhënie të tillë, çfarë note do t’i vinit kësaj marrëveshje ?
Ky koalicion ka funksionuar shumë më mirë sesa pritej. Pra, ka qenë shumë më i qëndrueshëm dhe funksional sesa kanë qenë parashikimet kur u thye një tabu dhe u vendos të ndërtohet ky koalicion. Unë mendoj se ky koalicion ka ende shumë potenciale të pashfrytëzuara për të qenë shumë më efikas dhe shumë rezultativ. Shumë efikas në drejtim të qeverisjes dhe shumë rezultativ dhe në drejtim të rezultateve elektorale. Zgjedhjet e 8 majit ishin një provë shumë e rëndësishme dhe ato treguan në mënyrë të qartë se ky koalicion përfaqëson në mënyrë bindëse mazhorancën e qytetarëve shqiptarë. Zgjedhjet e 8 majit njëkohësisht treguan, pavarësisht parashikimeve apo pretendimeve se Lëvizja Socialiste për Integrim do të humbiste votat e saj duke bërë koalicion me Partinë Demokratike, por Lëvizja Socialiste për Integrim tregoi një rritje shumë të konsiderueshme në njësinë e kohës. Pra, mori gati 50 për qind më shumë të votave sesa mbërriti në vitin 2009 dhe ky është një trend që vazhdon edhe sot.
Që prej 2009, që vendosët të bashkëpunonit me Partinë Demokratike, jeni penduar ndonjëherë me Partinë Demokratike, qoftë edhe një mendim?
Unë asnjëherë nuk pendohem për ato bëj, aq më tepër kur ky ka qenë një vendim i detyrueshëm dhe ka qenë e vetmja alternativë që Lëvizja Socialiste për Integrim të kontribuonte për stabilitetin e vendit apo për të qenë pjesë e një zgjidhjeje në interes të vendit, sepse alternativa tjetër ishte një kaos, një konflikt, një pasiguri, e cila nuk është se nuk se ishte thjesht në interes të LSI-së, por as të vendit dhe qytetarëve.
Shumë përfaqësues të së majtës mendonin se ky bashkëpunim me Partinë Demokratike do ta dëmtonte LSI-në në elektoral. E keni ndjerë këtë efekt, zoti Meta?
E para, të majtët që besojnë te LSI-ja, janë votues të LSI-së dhe ata qe nuk besojnë nuk janë votues të LSI-së. Lëvizja Socialiste për Integrim ka treguar që është një alternativë tepër prezente që nga dita e parë e themelimit të saj, është një forcë politike që ka pasur një elektorat tepër solid. Edhe masakra e zgjedhjeve të fundit që u realizua ndaj saj, që nga kodi, që nga përjashtimi i të drejtës për të pasur komisionerët e kështu me radhë, dështoi dhe ndaj unë jam i bindur që qytetarët gjithnjë e më shumë kërkojnë zgjidhje, kurse ngarkesat emocionale për mua janë tërësisht kalimtare.
Kalojmë në një argument që ka qenë zhvillimi i ditës këtë fundviti që është çështja e presidentit. Zoti Topi në një pritje me gazetarët në Presidencë lajmëroi zyrtarisht që nuk do të kërkojë një mandat të dytë si President i Republikës. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë çështje?
Është një e drejtë e kujtdo që të kandidojë apo të mos kandidojë dhe ne duhet të respektojmë mendimin, në këtë rast të zotit Topi. Ndërsa, së dyti, që është më e rëndësishme, që sjellja e tij të jetë plotësisht kushtetuese, pra në frymën e Kushtetutës, deri në ditën e dorëzimit të detyrës. Pra, kjo është e rëndësishme jo vetëm për Presidentin, si institucion, por për çdo drejtues institucioni, që duhet të jetë i pavarur.
Kryeministri Berisha tha se zoti Topi e ka shkatërruar Presidencën duke e kthyer në një partiçkë. Komenti juaj.
Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e këtij debati. E ritheksoj se është e rëndësishme që çdo institucion të respektojë Kushtetutën dhe frymën e Kushtetutës, sepse kjo është në të mirë të vendit për funksionimin e institucioneve dhe besueshmërisë së tyre.
Jo më larg se dje zoti Meta, ju keni deklaruar se jeni jashtë lojës për Presidentin. Ka filluar pra pak para kohe diskutimet për çështjen e emrave për Presidentin e ri. Pse mendoni se duhet të qëndroni larg kësaj loje me emra, me diskutime apo me skenarët që do të zgjidhet presidenti?
Kuptohet që është bërë e zakonshme që ne t’i nisim këto fushata përpara kohe. Ndoshta kjo tregon një varfëri lajmesh apo zhvillimesh ngaqë është dhe fundviti, aq më tepër që kemi dhe një lloj “detante” në qoftë se mund ta themi midis forcave kryesore politike, kështu që duhen krijuar sa më shumë lajme të tjera dhe ajo që unë kam dashur që të bëj të qartë për çështjen e presidentit, ka të bëjë me vlerësimin tonë si LSI, pasi kjo është një çështje tepër e parakohshme për t’u diskutuar. Pra, kjo është një çështje që duhet diskutuar në fund të muajit qershor. Së dyti, ne nuk duam të bëhemi pjesë e si të thuash e “spekulimeve” dhe së treti që është më e rëndësishme, ne do të jemi pjesë e zgjedhjes kur kjo çështje të vendoset për t’u diskutuar.
Nëse do të zgjidhej presidenti, sikurse tha dhe Kryeministri Berisha, pra nga maxhoranca, a mund të kishte ndonjë emër nga Lëvizja Socialiste për Integrim?
Mendoj se është një çështje tepër e parakohshme për të diskutuar dhe unë mendoj se si nga maxhoranca, pa përjashtuar asnjë forcë politike, absolutisht ka shumë emra që mund ta kryejini shumë mirë këtë detyrë, ndërkohë që kjo është një garë e hapur, sepse ka disa rregulla, ka disa procedura. Cilido që arrin të ketë mbështetjen e 20 deputetëve, në mos gaboj, ka të drejtën të paraqesë kandidaturën e tij, pro ne kemi një marrëveshje me Partinë Demokratike që për këtë çështje të kemi një angazhim për ta zgjidhur së bashku.
Mund të jetë ndër këto emra dhe Fatos Nano, duke pasur parasysh se ka pasur në media një lloj diskutimi se mund të jetë një kandidaturë që mbështetet nga LSI-ja?
Unë po e ritheksoj dhe njëherë që nuk dua të bëhemi pjesë e këtij debati tepër të parakohshëm. Edhe më parë e theksova që ne kemi një detyrim për shkak të marrëveshjes që kemi, që do ta diskutojmë me Partinë Demokratike dhe me forcat e tjera të këtij koalicioni dhe në momentin e fundit Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëjë të ditur qëndrimet e kësaj force politike.
A ju duket kjo iniciativë e Nanos paksa e parakohshme?
Kjo është një e drejtë e tij dhe duke qenë se ai është një politikan me shumë përvojë, ai i di mirë arsyet se pse ka zgjedhur këtë moment për të afishuar kandidimin e tij për këtë pozicion dhe është një e drejtë e tij.
Do të vijoni t’i jepni më shumë jetëgjatësi bashkëpunimit me Partinë Demokratike?
Së pari, ka ende kohë për të përmbyllur këtë mandat 4- vjeçar. Ne, nga ana jonë kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë në mënyrë tepër korrekte kësaj marrëveshje bashkëpunimi.
Normalisht është tepër e parakohshme që të flasim për një bashkëpunim të mundshëm me Partinë Socialiste, pavarësisht qëndrimeve shpeshherë përjashtuese që kanë ardhur prej selisë rozë...
Për interesat e integrimit të vendit, ne bashkëpunojmë, kemi bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojmë me çdo forcë politike. Pastaj për çështjen e koalicionit kjo është çështje tjetër.
Duke e parë sot pas disa ditësh, pak më qetë përjashtimin e z. Islamit, ju duket normale një ç’regjistrim i tillë i një deputeti nga një grup parlamentar?
Përjashtimi i zotit Islami nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk është një zhvillim interesant. Është një zhvillim dramatik, jo thjesht për Partinë Socialiste, por në përgjithësi për demokracinë në vend dhe për politikën shqiptare. Them që është një zhvillim dramatik për arsye sepse, nuk është thjesht një ndëshkim ndaj një individi por është një shantazh që u bëhet të gjithë atyre që kanë një mendim alternativ. Partia Socialiste ka qenë për një periudhë të konsiderueshme partia më demokratike në vend në kuptimin e zhvillimit të fondamencës, të mendimit ndryshe, të debateve dhe kthimi kaq pas në të kaluarën me këtë vendim ndaj zotit Islami është me të vërtetë një zhvillim dramatik sepse në fund të fundit është një forcë politike e rëndësishme dhe është një forcë politike që duhet të japë mesazhe emancipuese dhe jo të ndërmarrë veprime të tilla të cilat të kujtojnë kohën e inkuizicionit. Për më tepër kur bëhet fjalë për një politikan që e njohin të gjithë, që e njeh opinioni publik, që e njohin edhe qytetarët, për një politikan me shumë kontribute për pluralizimin politik në Shqipëri, për transformimin nga partia e punës në Partinë Socialiste. Zoti Islami ka pasur një rol kyç në atë kohë. Për afrimin e shumë figurave të reja intelektuale në këtë forcë politike, për pozicionet e ndryshme që ka pasur në mënyrë të vazhdueshme dhe për background-in e tij, si një shkencëtar i njohur jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë vendit. Akoma më e rëndë ishte kërkesa pastaj për ta larguar edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ku ai është raporter për Gjeorgjinë dhe në vend që të gjithë të jemi të kënaqur që një shqiptar është zgjedhur dhe ka një pozicion të tillë tepër sensibël dhe të vlerësuar nga një institucion tepër i rëndësishëm ndërkombëtar, kërkojmë ta ndëshkojmë duke e çuar këtë mesazh negativ edhe përtej Shqipërisë.
Z. Meta, e ka një vend në Lëvizjen Socialiste për Integrim z. Islami? E keni menduar një mundësi të tillë?
Kjo nuk është një pyetje për mua. Aderimi në Lëvizjen Socialiste për Integrim bëhet më dëshirë, bëhet me vullnet. Se cila është e ardhmja e z. Islami kjo është një çështje që i mbetet atij për të vendosur. Unë personalisht mendoj se ai e ka një të ardhme në jetën politike për arsye se ka një të kaluar solide dhe çdo politikan që e ka një të kaluar të tillë, që ka kontribute të qenësishme ka dhe një perspektivë, aq më tepër që ai është superenergjik dhe një politikan tepër aktiv. Çështja kryesore është vullneti i z. Islami. Pavarësisht se cila do të jetë zgjedhje e tij për të ardhmen ai gjithnjë mbetet një figurë tepër e vlerësuar nga unë personalisht.
Po përsa i përket çështjes së reformës zgjedhore. Ju keni pasur gjithmonë idetë e qarta në këtë drejtim. Mendoni se po bëhet mirë me procesin e reformës zgjedhore?
Së pari zgjedhjet e fundit lokale ishin perfekte. I vetmi pretendim që u ngrit dhe që është për të ardhur keq se ishte tërësisht në kundërshtim me frymën e kryetarit të PS për 2 vite i cili kërkonte hapjen e kutive dhe rinumërimin e tyre. I vetmi tension artificial që u krijua ishte pikërisht ai nëse duhet të merreshin në konsideratë apo jo votat në kutitë e gabuara. Mendoj se Komisioni i Venecias u shpreh në mënyrë eksplicite i cili deklaroi se marrja në konsideratë e këtyre votave ishte një vendim i drejtë dhe tha se kjo duhet vendosur edhe më mirë në ligj në mënyrë që të mos ketë më debate për këtë çështje. Mesazhi i dytë që erdhi nga Komisioni i Venecias ishte fakti se përcaktuese për sa i takon cilësisë të zgjedhjeve pavarësisht nga elementët e tjerë mbetet sjellja e partive. Pra partitë duhen më të përgjegjshme, të pranojnë edhe fitoren por edhe humbjen. Demokracia i ka të dyja. Ndaj për të ardhmen mbetet tepër e rëndësishme një përgjegjshmëri më e madhe politike për sa i takon zgjedhjeve. Një emancipim i madh i të gjithë aktorëve politikë që të pranojnë rezultatin. Ne natyrisht që mendojmë se ka nevojë për ndryshime të rëndësishme, jo thjesht teknike apo kozmetike, por ndryshime që kanë të bëjnë me elementë të rëndësishëm kushtetues siç është barazia e votës. Ky kod nuk e garanton barazinë e votës. Ne mendojmë se ekzistojnë të gjitha hapësirat, pa ndryshuar Kushtetutën, të bëhen përmirësime apo korrektime të cilat zgjidhin këtë problem, zgjidhin edhe çështje të tjera sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Megjithatë është ende herët. Mendoj se puna e vërtetë për reformën zgjedhore do të fillojë ndoshta nga fundi i muajit të ardhshëm.
Këtu përfshihet edhe ideja e ndryshimit të sistemit apo vetëm korrektimi?
Të kërkosh një sistem të ri është një sfidë e madhe pasi ndërrimi i sistemeve është e vështirë të ndodhë në një kohë kaq të shkurtër. Por pa bërë ndryshime në Kushtetutë dhe pa cenuar thelbin e sistemit mund të bëhen korrektime të cilat zgjidhin këto momente shqetësuese që janë ngritur nga disa forca politike.
Z. Meta kjo mazhorancë a ka bërë sa duhet për integrimin e vendit dhe pse e humbëm serish shansin e marrjes së statusit të vendit kandidat?
Pak ditë më parë festuam një vjetorin e liberalizimit të vizave. A nuk ishte kjo mazhorancë e cila në kohë rekord plotësoi të gjitha ato standarde të dhënë nga Komisioni Evropian përmes udhërrëfyesit për këtë qëllim. Ishin me qindra ligje, investime logjistike të jashtëzakonshme, standarde konkrete e teknike. Ndërkohë që është për të ardhur keq ky proces pati edhe një kundërvënie të jashtëzakonshme përveç edhe skepticizmit ndërkombëtar që ka qenë dhe është i pranishëm jo vetëm ndaj Shqipërisë por edhe ndaj vendeve të tjera si Shqipëria. 800 mijë shqiptarë kanë pasur rastin në një vit të përfitojnë nga kjo e drejtë dhe ta shfrytëzojnë atë. Shqipëria është vlerësuar si një vend model për sa i takon përmbushjes nga ana e qytetarëve të gjithë detyrimeve për të mos e shpërdoruar këtë të drejtë. Ndërkohë që të mos harrojmë deklaratat që jepeshin edhe nga Tirana, dhe nga selitë e forcave politike, përpara se të merrej vendimi, se po të hiqeshin vizat 1 milion shqiptarë do të shkonin në Europë dhe nuk do të ktheheshin më për arsye të varfërisë etj. Pas një viti u konfirmua në mënyrë të qartë se vendimi ishte shumë i drejtë dhe se qytetarët tanë janë qytetarë të denjë europianë. Kjo mazhorancë i ka plotësuar detyrimet e saja në lidhje me pyetësorin në një kohë rekord. Me një punë jashtëzakonisht voluminoze dhe cilësore që është vlerësuar edhe nga partnerët tanë. Gjithçka ka qenë në dorë të qeverisë. Ndërkohë që nga ana tjetër ishin edhe disa prioritete të cilat kërkonin 84 vota. Ju e dini shumë mirë që ka qenë politika e bojkotit ajo që i ka mbajtur peng plotësimin e këtyre prioriteteve dhe njëkohësisht marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë. Pas kaq kohësh u provua se kjo politikë nuk do të prodhonte më shumë vota përkundrazi dhe për fat të mirë kjo gjë u kuptua edhe pse me vonesë. Kemi disa sinjale reflektimi dhe po të vazhdohet në këtë drejtim unë besoj se statusi do të merret brenda vitit të ardhshëm dhe ne do të vijojmë përpara si një vend normal drejt hapjes së negociatave, drejt gjithë këtij procesi madhor që është anëtarësimi i plotë në BE.
Thatë që kishit një kundërvënie edhe nga brenda. I referoheshit kësaj skeme dhe bojkotit, pra Partisë Socialiste dhe opozitës në përgjithësi?
Deklaratat nuk i bëra unë. Unë i bëra deklaratat që po të heqë Europa vizat, 1 milion shqiptarë do të ikin dhe do të qëndrojnë në Europë?
Çfarë deklaratash ishin këto?
Që mos hiqni vizat se do t’ju mbeten shqiptarët në vendet tuaja. Tani, pas një viti, raporti nxori që shqiptarët u sollën në mënyrë të shkëlqyer, madje më mirë se edhe vendet e tjera të cilat kishin pasur disa eksperienca negative në këtë drejtim një vit më parë, pa përmendur këtu pastaj grevat e urisë dhe elementë të tjerë. Rëndësi ka, që ka një reflektim. Kjo është pozitive dhe ky reflektim të vazhdojë. Ky është interesi i të gjithëve, sepse nga vizat nuk fituan vetëm ata që votojnë për PD-në, për LSI-në, apo parti të këtij koalicioni, nga liberalizimi i vizave fituan të gjithë qytetarët shqiptarë.
Nga ky reflektim, e kemi pozitive të ardhmen, meqë fillojmë një vit të ri dhe pranvera e ardhshme mund të sjellë pak erë evropiane në Shqipëri?
Shqipëria e ka frymën evropiane, por meqenëse çelin lulet në pranverën, ndoshta kjo ndihet edhe më shumë. Unë mendoj se nuk është shumë e rëndësishme se kjo gjë do të ndodhë në mars, do të ndodhë në korrik, qoftë edhe në shtator, sepse në çdo rast është një proces. Kroacia nga momenti që hapi negociatat dhe deri në momentin e anëtarësimi, pra i vajti gjithë kjo periudhë gati 7-8 vjet. Nuk është se në rast se do ta fillosh tre muaj përpara, atëherë do ta mbarosh këtë proces tre muaj më parë. Ky është një proces i gjatë dhe për më tepër që zhvillohet në kushte jo të favorshme për Bashkimin Europian, për shkak të problemeve që BE-ja nuk i ka pasur përpara disa viteve dhe për shkak të kësaj krize të thellë financiare por edhe për Shqipërinë sepse kuptohet që zgjerimi i Bashkimit Evropian në vitet e fundit, në dekadat e fundit ka qenë i jashtëzakonshëm dhe natyrisht që nuk mund të themi se ka ndonjë interes të jashtëzakonshëm për të përshpejtuar proceset e anëtarësimit të vendeve të reja, përfshirë edhe Shqipërinë.
Zoti Meta, meqë jemi në fund të vitit, cila do të ishte kartolina juaj për qytetarët shqiptarë?
Unë besoj se viti 2012 do të jetë një vit i mrekullueshëm për një arsye madhore. Është viti i 100-vjetorit të pavarësisë dhe në këtë drejtim do të jetë një vit i paharruar për çdo qytetar shqiptar, brenda dhe jashtë vendit dhe le të jetë ky vit sa më i mbarë për çdo qytetar të Shqipërisë, për çdo qytetar shqiptar kudo që ndodhet dhe natyrisht një vit sa më i mbarë për vendin tonë, për shtetin tonë, pasi vitin që vjen nisim një shekull tjetër. Por, e nisin ndryshe besoj, e nisim si anëtar i NATO-s dhe jam i bindur se do ta nisim si një vend më pranë BE-së, sesa sot. Natyrisht iu uroj të gjithëve lumturi në familjet e tyre, mirësi, dashuri me njëri-tjetrin, sepse jam i bindur që ky komb absolutisht në vitin 2012 do të jetë në lartësinë që kërkon 100-vjetori i shtetit, 100-vjetori i pavarësisë.
Në fund të intervistës, pasi gazetari i kërkoi Metës një urim për stafin e televizionit, Meta iu përgjigj që përvec urimit do ju ofrojë edhe një raki nga Skrapari.