Presidenti i Republikës, Ilir Meta së bashku me bashkëshorten, zonjën Monika Kryemadhi dhe fëmijët e tyre: Borën, Besarin dhe Erën vizituan sot Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës ku u pritën nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvore dhe Arpeshkvi katolik metropolitan, Imzot George Frendo.
Presidenti Meta uroi personalisht klerikëve e lartë të Kishës Katolike si dhe gjithë besimtarët katolikë Festën e shenjtë të Pashkëve për më tepër shpresë dhe optimizëm në këtë ditë të ringjalljes së shpresës e ripërtëritjes së besimit në Zot dhe në vlerat e virtytet më të mira shpirtërore dhe rritjes së dashurisë për njëri-tjetrin.
Doja të falënderoja Imzot Frendon për ftesë dhe për këtë mundësi që këtë ditë kaq të rëndësishme ta kalojmë së bashku! Duke ju uruar të gjithëve ‘Gëzuar Pashkët!’ Mbarësi për të gjithë ju e për familjet tuaja, jam i bindur se me besim te Zoti, por edhe me dashuri e solidaritet me njëri-tjetrin, më e mira do të bëhet!
Presidenti Ilir Meta
Duke nënvizuar mesazhin e rëndësishëm për t’iu gjendur sa më pranë shtresave në nevojë, Presidenti i Republikës dhe familja e tij së bashku me Imzot Frendon morën pjesë në drekën e shtruar në Arqipeshkvi për personat me aftësi të kufizuara, duke ndarë me ta kremtimin dhe simbolikën e kësaj dite të bekuar.