Presidenca ka publikuar spotin publicitar të tubimit të 2 marsit, që kreu i shtetit ka paralajmëruar të mbajë në orën 17:00 në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" përpara kryeministrisë. Ajo që vihet re janë disa detaje, të cilat presidenti ka luajtur për të dhënë mesazhet e tij.

Përdorimi i ngjyrave kuq e zi ka treguar edhe një herë që kreu i shtetin, Ilir Meta luan me pjesën nacionale dhe kombëtare të shqiptarëve për t'i ftuar ata në manifestimin dhe 'besëlidhjen' me ta apo shqiponja dykrenare e bërë me duar, të cilën Meta kohët e fundit e ka thyer në pozën e tij të preferuar. Gjithashtu edhe pse tha se në tubim nuk do të marrë pjesë politika, Meta ka përdorur plane të protestave kundër qeverisë të zhvilluara nga opozita e bashkuar, ku duken dhe 'dritat e shpresës', ku Basha ftonte militantët e tij të ndiznin dritat e celularëve.

Thirrja e shqiptarëve gjatë rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha më 1991, 'E duam Shqipërinë si gjithë Europa' është dhe slogani i këtij spoti, me të cilin mbyllet dhe video duke simbolizuar 'çmontimin' e grushtit të shtetit siç e cilëson Presidenti.   

Në video presidenti Meta fton shqiptarët të bashkohen për mbrojtjen e  Kushtetutës, ligjit dhe t'i thonë jo shpopullimit të vendit, për të cilat akuzon mazhorancën si fajtore të tyre.