Meta vlerëson studiuesin Eqrem Zenelaj dhe atdhetarin e shquar Llambi Kota: Një popull që s'njeh historinë, është si një pemë pa rrënjë

Meta vlerëson studiuesin Eqrem Zenelaj dhe atdhetarin e shquar Llambi Kota: Një popull që s'njeh historinë, është si një pemë pa rrënjë

Dekorimi

Presidenti Ilir Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” studiuesin e shquar nga Kosova, Prof.Dr. Eqrem ZenelajNë vlerësim të kontributeve të pakursyera në fushën e studimeve dhe botimeve për pasqyrimin e historisë së popullit shqiptar dhe prejardhjen tonë iliro-pellazge. Me mirënjohje për punën e vazhdueshme në promovimin e vlerave kombëtare të popullit shqiptar si dhe për kontributin në fushën e studimeve të albanologjisë dhe për veprimtarinë e nivelit të lartë në shërbim të historisë sonë kombëtare.”

Ndërsa me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” kreu i Shtetit çmoi atdhetarin e paepur Llambi Kota (Pas vdekjes): “Në vlerësim të veprimtarisë patriotike në favor të çështjes shqiptare gjatë viteve 1908-1923. Në nderim të patriotit, atdhetarit të shquar për lirinë, pavarësinë kombëtare dhe për gjuhën shqipe. Me mirënjohje ndaj kontributit të veçantë të dhënë në mbështetje të Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe si dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe nën moton: Një komb, një alfabet.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, Meta u shpreh se historia e popullit shqiptar, që nga prejardhja jonë iliro-pellazge, përpjekjet tona të vazhdueshme për liri, pavarësi dhe shtet-formim, promovimi i vlerave, i kulturës dhe heronjve tanë kombëtarë, mbeten gjithmonë parësore për shoqërinë tonë dhe tejet të rëndësishme në shërbim të vendit.

"Shqipëria ka një plejadë të artë atdhetarësh, mendimtarësh dhe studiuesish, të cilët nuk kanë reshtur të japin kontributin e tyre, përmes penës dhe aktivitetit patriotik, për ta ngritur lart çështjen shqiptare dhe vlerat më të çmuara të kombit tonë.

Sot, kam kënaqësinë të vlerësoj një prej tyre, studiues i palodhur dhe tejet produktiv, shkencëtar, frymëzues dhe mbi të gjitha personalitet me virtyte të larta njerëzore, Profesor Eqrem Zenelaj, një emër i njohur në fushën e studimeve dhe botimeve për pasqyrimin e historisë së popullit shqiptar.

Profesor Zenelaj është arsimuar dhe specializuar në Prishtinë, Austri, Francë dhe Gjermani. Ai është një hulumtues i pasionuar i arkivave të vjetra europiane dhe ka grumbulluar rreth 5 mijë dokumente të vjetra arkivore me rëndësi historike e kombëtare.

Në këto dokumente përfshihen memorandume, telegrame, apele, fotografi, gravura, të dhëna të shumta mbi aktivitetin patriotik gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si edhe mbi personalitete të njohura kombëtare shqiptare ndër shekuj si Papa Klementi 11-të me origjinë shqiptare, prejardhja e familjeve Vlora dhe Toptani, dhe një kronikë mbi jetën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Hulumtimet e tij të pakursyera janë bërë të njohura përmes ekspozimit, me gjashtë ekspozita me materiale të vjetra arkivore, të një rëndësie të veçantë historike e kombëtare, si edhe përmes botimeve të shumë librave, të cilat do mbeten një vlerë e madhe dhe me rëndësi në fushën e studimeve albanologjike, që ndihmojnë në njohjen më të mirë e të thelluar të historisë sonë.

Një popull që nuk njeh historinë, origjinën dhe kulturën e vet  është si një pemë pa rrënjë, ndaj shembulli i Prof. Zenelaj dhe i shumë e shumë studiuesve të tjerë, në të gjithë trevat shqiptare, duhet të shërbejë si frymëzim për studiuesit e rinj, që të hedhin dritë mbi historinë dhe të kaluarën tonë, pasi ajo do na ndriçojë të ardhmen tonë dhe të brezave që do të vijnë dhe do të na bëjë krenarë edhe më shumë për identitetin tonë kombëtar.

Për kontributin e tij në fushën e studimeve të albanologjisë, si dhe për punën e pakursyer në promovimin e vlerave kombëtare, kam kënaqësinë t’i akordoj Prof. Dr. Eqrem Zenelaj Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Liria dhe pavarësia e Shqipërisë nuk janë dhuruar, por janë arritur prej punës, sakrificës dhe atdhedashurisë sublime, të shumë bijve e bijave të këtij vendi, të cilët meritojnë mirënjohje të përjetshme dhe nderimin tonë më të thellë.

Një prej tyre, që meriton nderim të veçantë, është atdhetari Llambi Kota, i cili dha një kontribut të çmuar për vendin tonë, përmes veprimtarisë së tij të palodhur patriotike, në favor të çështjes shqiptare, gjatë viteve 1908-1923.

Si një erudit i gjuhës shqipe, ai dha një kontribut të veçantë në mbështetje të Kongresit të Manastirit, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, si dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe nën moton: ‘Një komb, një alfabet’.

Ai ia kushtoi jetën e tij misionit për një komb shqiptar të bashkuar, rreth idesë kombëtare me ndjenjën e shqiptarizmit mbi gjithçka, pa dallim feje apo bindjesh. 

Ai ishte një mëndje me Rilindasit e Mëdhenj, të cilët theksonin se, të gjithë  shqiptarët  janë  vëllezër  dhe,  si  zot  të tyre, kanë Shqiptarinë.

Ai njihet në histori si veprimtar i shquar i lëvizjes dhe Rilindjes Kombëtare, promotor i njehsimit të alfabetit të gjuhës shqipe, delegat në Kongresin e Dibrës, pjesëtar i Klubit Patriotik të shqiptarëve në Egjipt, anëtar i Klubit Patriotik ‘BASHKIMI’ në Manastir, i shoqërisë Kulturore-patriotike ‘Banda e Lirisë’, Kryetar i Pleqësisë së Përgjithshme të shqiptarëve të Egjiptit, e nxitës dhe promotor i shumë veprimtarive të tjera patriotike.

Vlen të përmendet letra që ai, në cilësinë e Kryetarit të Pleqësisë së Përgjithshme në Egjipt, i dërgoi Presidentit Amerikan Woodrow Wilson, të cilit i kërkoi ndihmë për të mbrojtur çështjen shqiptare, në Konferencën e Paqes në Paris.

Ashtu sikurse ishte edhe firmëtar i letrës adresuar ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, me seli në Kajro, të cilëve u kërkohej ruajtja e sovranitetit të shtetit shqiptar në kufijtë e tij natyral.

Llambi Kota jetoi me ndjenjën e fortë të patriotit të përkushtuar ndaj çështjes së Atdheut, të kombit tonë, dhe gjuhës shqipe. Liria dhe pavarësia e vendit ishin aspiratat më të thella dhe më fisnike, për të cilat ai punoi gjithë jetën.

Për gjithë këtë kontribut të tij, sot kam kënaqësinë t’i akordoj Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’."- tha Meta.

 Momenti i vlerësimit
 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki