TIRANËSPAK nuk është dakord me lirimin e ish shefit të Forcave Operacionale të Policisë së Tiranës, Oltion Bistri, nga akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, edhe pse rezulton me miliona euro pasuri. Vendimin e së martës në GJKKO, që e shpalli të fajshëm Bistrin vetëm për nxjerje të sekretit dhe i hoqi edhe sekuestron ndaj 1 milion eurove, Prokuroria e Posaccmë do ta dërgojë menjëherë në Apel sapo ai të zbardhet.

Burime për Report Tv nga SPAK bëjnë me dije se për organin e akuzës ish polici është fajtor për të dyja akuzat e rënda, korrupsion e pastrim parash, dhe pasuritë duhet të konfiskohen.

Edhe pse SPAK kishte kërkuar 9 vite burgim për Bistrin, Gjykata e shkallës së parë e shpalli të pafajshëm për 2 akuzat kryesore, ndërsa e dënoi vetëm për zbulim të akteve sekrete, pasi dekonspironte operacionet e policisë së shtetit për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe pjesës tjetër të grupit kriminal të kapur në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Rënia e dy akuzave kryesore, i solli atij nga njëra anë, një reduktim të ndjeshëm të dënimit, në vetëm 3 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktuan në 2 vite, dhe Bistri u la i lirë në sallë pasi e ka kryer dënimin në paraburgim.

Ndërsa nga ana tjetër, çoi dhe në heqjen e sekuestros ndaj 1 milion eurove, ndonëse mbeten të paqarta arsyet mbi të cilat Gjykata ka justifikuar prejardhjen e tyre.

Oltion Bistri nuk rezulton vetëm me pasurinë 1 milionë euro që i ishte sekuestruar për shkak të blerjeve të disa apartamenteve. Ndaj tij vijon paralelisht edhe një hetim pasuror në bazë të ligjit “Antimafia”, në kuadër të të cilët janë sekuestruar 3.1 milionë euro pasuri të ndryshme.

Bëhet fjalë për 36 pasuri të paluajtshme, duke përfshirë 22  dyqane apo ambiente biznesi, 10 – Apartamente, 2 prej të cilëve me sipërfaqe 400 metra katrorë, 1 vilë në Tiranë, 1 – Truall 200 metër katrorë; 1 – Garazh dhe 1 – Automjet Range Rover Sport i vitit 2012. Të gjitha që prej majit 2024 kanë kaluar në administrimin e shtetit menjëherë pas vendimit të GJKKO, dhe SPAK ka kërkuar konfiskimin e tyre.

Pra, vendimi i GJKKO dje në proces penal lidhet vetëm me pagesa në vlerën 1 milionë euro që u është hequr sekuestrimi, ndërsa pasuri të tjera të paluajtshme vijojnë në sekuestro. Tashmë që çështja shkon në Apel, e paqartë mbetet ndikimi i këtij procesi, nëse Bistri shpallet i pafajshëm, në hetimin tjetër paralel, atë pasuror.

Dje GJKKO dënoi me vetëm 5 vite burg, i konvertuar në 3 vite e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar edhe ish prokurorin Xhevahir Lita, vendimi i cili do të shkojë gjithashtu në Apel pas ankimit të SPAK.