"Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nënshkruar me shoqërinë“DARFO” s.p.a. marrëveshjen e koncensionit të formës “ROT” për minierën e kromit Bulqizë, fabrikën e pasurimit Bulqizë, të impiantit të seleksionimit Klos dhe të uzinës së ferrokromit Burrel, e cila është miratuar me ligjin nr.8791, datë 10.5.2001.
“Darfo”s.p.a. ka themeluar “DARFO ALBANIA” sh.p.k. ne 14.04.2000, regjistruar si person juridik me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nr. 23729, datë 05.05.2000, me nipt K11613001M.
Në korrik 2009 “DARFO” s.p.a. i shet 100 % të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë konçesionare “DARFO ALBANIA” sh.p.k., shoqërisë “ACR Holding” S.r.l. dhe pas kësaj emri i shoqërisë ndryshohet në “Albanian Chrome” sh.p.k. me të njëjtin NIPT – K11613001M dhe me ortak të vetëm “ACR Holding” S.r.l.
Dje, datë 06.02.2013, në METE është protokolluar një njoftim i “Albanian Chrome” sh.p.k. me anë të të cilit vihemi në dijeni të faktit që ortakët e “ACR Holding” S.r.l. i kanë shitur shoqërisë “BAlfin” sh.p.k. 100% të kuotave të “ACR Holding” S.r.l.
Nisur nga ky njoftim kuptohet qëvetëm kuotat e shoqërisë “ACR Holding” s.r.l. i janë shitur “Balfin” sh.p.k, gjë e cila nuk ka sjellë ndryshim të shoqërisë konçesionare “Albanian Chrome” sh.p.k. me NIPT – K11613001M, dhe mbetet po Shoqëria Konçesionare e mësipërme që vazhdon të kryejë aktivitetin e përcaktuar në Marrëveshjen Konçesionare.
Në këtë lloj transaksioni nuk shiten kuotat e shoqërisë konçesionare, por shitet shoqëria italiane mëmë që ka krijuar shoqërinë konçesionare, dhe Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës është përpara po të njëjtës shoqëri konçesionare “Albanian Chrome” sh.p.k. biles me të njëjtin NIPT – K11613001M.
Sa më sipër, sipas ligjit Nr. 9663 datë 18.12.2006 “Për Konçesionet”, Neni 27/ç dhe Marrëveshjes së Konçesionit, shoqëria “BAlfin” sh.p.k. e cila ka blerë 100% të kuotave të “ACR Holding” S.r.l. me aktivitet kryesor në Itali, nuk ka detyrim për të marrë miratimin paraprak të OSHA-së(Organi Shtetëror i Autorizuar)ose METE, për transferimin e aksioneve të një shoqërie që vepron në Itali.
Lidhur me informacionin e detajuar të kërkuar për proçedurën që ka filluar ndërmjet shoqërive “Albanian Chrom” sh.p.k dhe “Balfin” Sh.p.k për kalimin tek shoqëria “Balfin”sh.p.k. e të drejtave të aktivitetit të zotëruar aktualisht nga “Albanian Chrome” shpk, mbështetur në Marrëveshjen e Konçesionit të “Uzinës Ferro-Kromit Bulqizë, minierës së kromit Bulqizë, fabrikës së pasurimit Bulqizë dhe impiantit të seleksionimit Klos”, sqarojmë sa më poshtë:
1- Transaksioni, për të cilin jemi njoftuar nga “Albanian Chrome” sh.p.k., për kalimin tek shoqëria “Balfin” sh.p.k e të drejtave të aktivitetit të zotëruar aktualisht nga “Albanian Chrome” sh.p.k mbështetur në Kontratën e Konçesionit të “Uzinës Ferro-Kromit Bulqizë, Minierës së Kromit Bulqizë, Fabrikës së Pasurimit Bulqizë dhe Impiantit të Seleksionimit Klos”, do të duhet të transferojë tek shoqëria “Balfin” sh.p.k të gjitha detyrimet dhe të drejtat e Konçesionarit, të parashikuara në Marrëveshjen e Konçesionit (për realizimin e planit të investimeve dhe tërehabilitimit të objekteve të konçesionit; për shlyerjen e detyrimeve ndaj OSHA dhe të tretëve).
Marrëveshja e Konçesionit, nuk përmban ndonjë dispozitë që të përcaktojë proçedura dhe detyrime të Konçesionarit për të përfshirë OSHA-në, (apo METE) në transaksionet e një kalimi të mundshëm të të drejtave dhe detyrimeve të Marrëveshjes Konçesionare.
2- Shoqëria “Balfin” sh.p.k. në zbatim të legjislacionit në fuqi dhe Marrëveshjes së Konçesionit do të duhet të plotësojë kushtet e investitorit të sektorit duke vazhduar operimin e aktiviteteve të Konçesionit në fjalë me kapacitetet e saj financiare dhe asetet e Shoqërisë Konçesionare “Albanian Chrome” sh.p.k.,të rregjistruar në QKR.
3- Transferimi i Lejes Konçesionare në fjalë është një iniciativë dhe marrëveshje e iniciuar nga palët, për të cilat METE nuk është palë.
4- Realizimi i investimeve nga Shoqëria Konçesionare “Albanian Chrome” sh.p.k. për periudhën Janar 2009 – Dhjetor 2012 është 7 944 659 USD.
5- Shoqëria Konçesionare “Albanian Chrome” sh.p.k. ka një detyrim penaliteti kundrejt OSHA-së(METE-s) prej 1 693 163 EURO, për të cilin është rënë dakord midis palëve që të likuidohet nga vlera e TVSH-së së pa rimbursuar në adresë të Konçesionarit nga ana e Drejtorisë së Tatim-Paguesve të Mëdhenj. Mungesa e rimbursimit të TVSH ka mbajtur të bllokuar likuidimin e detyrimeve të ndërsjellta ACR – METE dhe Ministria Financës – ACR. Jemi në pritje të zgjidhjes së këtij problemi.
6- Nuk ka patur investime për hapjen e pusit 9 të Minierës së Kromit Bulqizë. Mbetet detyrim për t’u realizuar nga investitori.
7- Rezervat e mineralit të kromit në Minierën e Bulqizës kanë qënë 3 027 273 Ton, nga të cilat janë prodhuar (nxjerrë) 1 255 00 Ton, gjatë periudhës së shfrytëzimit nga Konçesionari.
Aktualisht vlerësohen 1 772 273 ton rezervat e mineralit të kromit të mbetura.
8- Sasia e rezervave të mineralit të kromit të mbetura pa u shfrytezuar mbi nivelin 14 të thellësisë së Minierës së Kromit Bulqizë është relativisht e vogël pasi prodhimi i 10 viteve të fundit është siguruar në pjesën më të madhe nga shfrytëzimi i atyre rezervave.
9- Sasia e mineralit të kromit e prodhuar nga ACR për periudhën Janar 2009 – Dhjetor 2012 është 762 440 ton.









