Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon sqarime nga drejtoria e burgut “Jordan Misja” për pretendimet se kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta po i kufizohen takimet me deputetë shqiptarë dhe eurodeputetë. Komiteti Shqiptar i Helsinkit i është drejtuar me një letër drejtorit të burgut, Arjan Bozhaj pasi është vënë në dijeni të ankesave të Metës dhe deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

Sipas tyre, ish-presidentit nuk i janë lejuar disa takime, pa iu vënë në dispozicion një vendim i arsyetuar apo baza ligjore për kufizimin.

“Ngrihen shqetësime lidhur me moslejimin e zhvillimit të takimeve të këtij të fundit me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetë të Parlamentit Evropian, pa u bërë me dije një vendim i arsyetuar apo baza ligjore mbi të cilën është mbështetur ky kufizim”, thuhet në letër.

Komiteti kujton se të njëjtën problematikë e ka konstatuar edhe më herët gjatë monitorimit në burgun “Jordan Misja”.

“Rikthimi i pretenduar i së njëjtës praktikë ngre shqetësim dhe kërkon sqarim për personat e përfshirë, veçanërisht nëse kanë ndryshuar rrethanat faktike që do të justifikonin një qasje të ndryshm”, thuhet në letër.

Për këtë arsye, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i kërkon drejtorisë së burgut informacion mbi pretendimet e Ilir Metës dhe Tedi Blushit.

Në një raport të publikuar në prill, Helsinki ngriti shqetësime për kushtet e Ilir Metës në paraburgim, duke evidentuar kufizime në ajrim, takimet me familjarët dhe mungesën e disa kushteve minimale në qeli, duke i cilësuar shkelje të të drejtave minimale e cenimit të dinjitetit njerëzor.

Letra e Komitetit Shqiptar të Helsinkit