Metodat e reja të trafikantëve për të bërë para shpejt dhe sa më shumë nga hashashi

Metodat e reja të trafikantëve për të bërë para shpejt dhe sa më shumë nga hashashi

Foto ilustruese

Kultivimi i kanabisit konsiderohet si shkatërrimtari më i madh i policisë dhe i inkriminimit të saj nga njëra anë dhe i rekrutimit të të rinjve dhe pleqve për të mbjellë hashash në male apo në shtëpi që i japin me qira. Por ndërsa kultivuesit e marrin përsipër rrezikun dhe shpesh zbulohen, policia, megjithë akuzat nuk e ka nisur ende pastrimin nga të dyshuarit brenda llojit të saj.

Megjithatë, një ish-ministër gjendet në burg, duke vuajtur dënimin dhe teksa jashtë burgut dhe në detyrë shumë të tjerë vazhdojnë të përfliten dhe të akuzohen nën zë për këtë periudhë që do të konsiderohet si më e errëta dhe me pasoja më afatgjata në policinë shqiptare.

Si një ish-zyrtar në departamentin e Antiterrorit, një strukturë e mbështetur nga të huajt, menjëherë sapo mori detyrën e numrit një të policisë, Gledis Nano premtoi zero tolerancë ndaj hashashit. Dhe këtë duket se po kërkon të arrijë kreu aktual i Policisë së Shtetit, jo vetëm duke mbështetur patrullimet nga ajri të misioneve italiane, por gjithashtu duke u shfaqur herë pas here me mesazhe direkte.

Por ajo që thuhet nëpër korridoret e policisë, është se shumë oficerë në kohën e  ish-ministrit të Brendshëm Tahiri, vazhdojnë të bëjnë karrierë dhe të qëndrojnë në nivele drejtuese, që nga drejtorë, deri tek shefa komisariatesh, krimesh dhe sektorësh, pavarësisht lakimit të tyre si të dyshimtë. Për këtë gjë, nuk ka asnjë koment dhe është një çështje që siç kuptohet është ende herët për ta prekur, jo vetëm Gledis Nano.

Policë që lihen maleve

Një oficer policie pranë Drejtorisë Vendore Shkodër, rrezikoi jetën gjatë patrullimeve në këmbë në zonën e Dukagjinit dhe konkretisht në zonën e fshatit Shosh.

“Gjatë kontrollit në terren, në kuadër të planit të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, njëri nga policët e grupit të kontrollit, nënkomisar Rrok Frroku, 54 vjeç, si pasojë e terrenit mjaft të thepisur, është rrëzuar dhe ka rënë në humnerë. Për pasojë, efektivi ka marrë lëndime të shumta në trup".

Policia, e cila e mbajti sekret këtë ngjarje, pranon se mundi të realizojë nxjerrjen nga humnera të policit të dëmtuar pas 12 orëve përpjekje, por nuk shpjegohet se përse në këto zona të thepisura dërgohen policë në këmbë dhe jo me helikopter, ashtu sikurse pretendohet zyrtarisht se ndodh me misionet nga ajri.

“Nga pika fundore e rrugës që shkon automjeti, deri në vendin ku aktualisht ndodhet punonjësi i policisë i dëmtuar, është gjashtë orë me këmbë dhe një terren shumë i vështirë që e bën të pamundur transportimin me krahë të punonjësit të policisë”, - përmend më tej Policia e Shtetit për këtë ngjarje, duke pranuar vështirësinë e ndërhyrjes nga ajri, edhe kur aty rrezikohet jeta e një polici.

Por ekipe të shumta policore në të gjithë Shqipërinë, nga muaji prill dhe në shtator, prekin në këmbë male e vende të thepisura të zgjedhura nga kultivuesit, që tanimë nga zona jugore e vendit, e kthyer në një “hotspot tradicional", janë zhvendosur edhe në veri, veçanërisht në malësinë e Krujës, Dukagjin dhe Kukës.

Mbi operacionet policore të kryera në 24 orët e fundit, thuhet se janë arrestuar 15 persona dhe 84 janë proceduar në gjendje të lirë. “Në fushën e narkotikëve, - deklaron policia, - janë evidentuar tre raste, me një shtetas të arrestuar dhe tre të tjerë të ndaluar”.

Çmenduria e hashashit, mbillet edhe në vende vakëfi

Ditën që policia gjyqësore arrestoi në flagrancë tre anëtarë të një familjeje dhe një të katërt që ishte fqinji i tyre, deklaroi se në lokacionin ku u planizuan forcat policore, "ishin hapur parcela me rreshta në mënyrë të çrregullt, ku kanë konstatuar të mbjella bimë me ngjyrë jeshile të dyshuara si bimë narkotike e llojit kanabis sativa. Nga numërimi i tyre, ka rezultuar se janë mbjellë rreth 70 rrënjë, të cilat janë në lartësi rreth 30-40 cm”.

Operacioni anti-hashash në fshatin Golemas, Durrës ekspozon se si një kultivues që e organizoi të gjithë këtë, mbolli drogë në një vend të mirë, i quajtur ndryshe vakëf, pa i pyetur pronarët. Madje ai i angazhoi pronarët, duke i bërë bashkë të katërt dhe duke iu premtuar se në fund do iu jepte para nëse e vadisnin atë. Dosja thotë se aksioni anti-hashash, u mbajt në vendin  “Përroi i Mëhallës”.

“Punoj roje në fshatin turistik Mondi i Rikës në Golem, Kavajë dhe aty njoha shtetasin V. H (në kërkim). Shkova për darkë tek V. dhe gjatë bisedës, më tha se kishin mbjellë ca bimë tek një tokë në grykë të përroit dhe të nesërmen do të shkonin t’i shikonin se ku i kishte mbjellë”.

Në dosje përmendet se si të nesërmen, ata udhëtuan me V. dhe I, duke shkuar tek vendi ku ata kishin mbjellë bimët, që sipas tij quhet vakëf dhe deklaron se ka parë që ata kishin mbjellë rreth 150 rrënjë hashash, ku 10 rrënjë, thotë se i kishin mbjellë në tokën e tij dhe 50 rrënjë në tokën e shtetasit E.K.

Ai iu ka thënë se aty ishte toka e tij dhe çfarë keni bërë sipas tij, ata e kanë qetësuar dhe i kanë mbushur mendjen që ai të merrej me vaditjen e bimëve dhe ashtu thotë se ka vepruar së bashku me babain e tij dhe vëllain, ku deklaron se kanë vaditur në 6 raste bimët. Gjithashtu ai deklaron se ata i kanë premtuar se në fund të muajit do të merrte 150 mijë lekë të vjetra.

Ai thotë se nga frika nuk e ka denoncuar këtë rast, pasi thotë mund t’i kërcënohej familja. Të njëjtën gjë thonë edhe vëllezërit që sipas tyre “Konti", u kishte mbjellë drogë në tokën e tyre dhe iu kishte mbushur mendjen se do i paguante.

Pleq pas të cilëve mbjellin të rinjtë

Zef Kola sot është 72 vjeç. Sipas ligjit, "nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç dhe që jeton me të, ndaj një personi që ndodhet në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë ose që ka kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç ose një personi toksikoman apo të alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm”.

Pikërisht për shkak të moshës së madhe dhe siç u shprehën gjykatat, ai nuk mund të dërgohej nën arrest me burg , por duhej lënë në banesë. Edhe pse në statusin e të moshuarit, u gjetën gati 600 rrënjë hashash. Ndonëse hetimet në Lezhë vazhdojnë ende nëse ishte apo jo i moshuari në gjendje që të kultivonte një sipërfaqe të tillë, fakti që bima narkotike u gjet në afërsi të stanit të tij, vendosi vetëm të moshuarin nën hetim.

Por dyshohet se persona të tjerë përfituan ose shfrytëzuan moshën e tij. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka vendosur regjistrimin e procedimit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe regjistrimin e emrit të shtetasit Zef Kola, si person që i atribuohen këto vepra penale.

Aktet e hetimit tregojnë se kultivuesit po shfrytëzojnë edhe këtë hapësirë të ligjit për të shpëtuar nga përgjegjësia, siç edhe ndodhi me aksionin në vendin “Stani i Zekës”, fshati Kallmet i Vogël, Lezhë, ku u zbuluan dy parcelat në fjalë dhe për këtë gjendet nën hetim i moshuari.

“Pas kontrollit të banesës në dhomën e gjumit të të dyshuarit, poshtë jastëkut, është gjetur një qese plastmasi me material bimor në brendësi të saj në formë bohçeje me ngjyrë jeshile, me karakteristika e aromë si ato të lëndës narkotike me peshë 51,87 gr. Gjatë kontrollit në anën veriore të stanit mes dy kavaletave të barit, u gjenden dy thasë, njëri i zi dhe tjetri i bardhë me shirit portokalli. Në thasë u gjenden gota plastike në formë katrore dhe rrethore me ngjyrë të zezë dhe kafe, si ato që përdoren nga bujqit për të vendosur fidanë në kubikë. Në mesin e parcelës është gjetur një qese transparente e mbyllur, brenda së cilës ndodheshin materiale, si aksesorë plastik, që shërbejnë për vaditje me pika”, - përshkruan policia, që pavarësisht arrestimit të çastit, nuk i zbuloi dot personat e tjerë./Gazeta Si

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion