/ATSH/- Është gati sistemi i operimit për shërbimin e skanimit të konteinerëve dhe automjeteve të tjera për të gjitha ato biznese dhe individë që kanë si veprimtari të tyre importin, eksportin dhe kalimin tranzit në Republikën e Shqipërisë.
Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Financave bëri të ditur të premten se Qeveria Shqiptare arriti të zgjidhë me mirëkuptim mosmarrëveshjet lidhur me kontratën koncesionare me shoqërinë "S2 Albania shpk" dhe "Rapiscan Systems Inc" me objekt financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të konteinerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit.
Ministria e Financave thotë se, duke filluar nga dita e hënë, data 7 shtator 2015, shoqëria koncesionare do të fillojë operimin për shërbimin e skanimit të konteinerëve dhe të automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, kundrejt tarifës së skanimit.
Pagesa për skanimin do të kryhet mbi bazën e deklaratës doganore. Pagesë do të kryejnë të gjitha bizneset. Pra, do të përfshihet, si aktivitet, importi, eksporti dhe kalimi tranzit. Pagesa për deklaratë do të jetë 22 euro. Për deklaratat doganore që janë me vlerë deri në 1,000 euro, pagesa respektive do të jetë 5 euro.
Ministria e Financave shpjegon se qëllimi i realizimit praktik të këtij shërbimi nuk është vetëm shmangia e nënraportimeve të deklaratave doganore për efekt të keqklasifikimeve të kodeve, të mallrave, për marrjen e detyrimeve doganore ekzaktësisht për produkte që zhdoganohen, por edhe siguria kombëtare, sigurimi i kufijve nga parandalimi i kontrabandës, kryesisht të produkteve të akcizës, të lëndëve narkotike, të produkteve të dëmshme, të armëve, të municioneve, etj.