TIRANE, 18 Korrik/ATSH/- . Të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit gjatë gjysmës së parë të këtij viti llogariten 175.201 milionë lekë, ndërsa u shpenzuan 197,379 milionë lekë, raporton Ministria e Financave, përmes statistikave të treguesve fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar janar-qershor 2014.
Referuar statistikave, defiçiti buxhetor u ul me 54% në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit 2013. Taksat që sollën më shumë të ardhura në buxhet janë TVSH-ja dhe tatim-fitimi. Të ardhurat nga TVSH-ja llogariten 61.177 milionë lekë. Ndërkohë, TVSH-ja e rimbursuar gjatë kësaj periudhe ka qenë rreth 1.680 milionë lekë. Të ardhurat nga tatim-fitimi, llogariten 11167 milionë lekë. Ndërkohë të ardhurat nga akciza për këtë 6-mujor llogariten 16.274 milionë lekë.
Tatimet personale erdhën në rënie, si rrjedhojë e vendosjes së taksës së përshkallëzuar, që ka sjellë rënie të të ardhurave nga tatimi mbi pagat e vogla. Të ardhurat për këtë zë llogariten 13.160 milionë lekë për 6-mujorin Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, shpenzimet kapitale llogariten 20.183 milionë lekë., ndërsa shpenzimet korrente janë 158.584 milionë lekë, ndërsa shpenzimet operative të mirëmbajtjes llogariten 11.510 milionë lekë./a.gjonaj/f.n/