Mickoski mandatohet për kryeministër të Maqedonisë së Veriut

Mickoski mandatohet për kryeministër të Maqedonisë së Veriut

Presidentja Gordana Silanovska-Davkova dhe Hristijan Mickoski

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, të enjten, më 6 qershor ia ka dhënë mandatin për formimin e Qeverisë, kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

"Besoj se hapin që po e bëj sot, duke ia besuar formimin e Qeverisë z.Hristijan Mickoski, është hapi i vërtetë juridik dhe politik", ka thënë Davkova.

Sipas Kushtetutës, mandati për formimin e Qeverisë i jepet partisë, e cila në zgjedhje fiton numrin më të madh të deputetëve dhe që arrin të sigurojë mbi 60 vota për votimin e saj në Kuvend.

Në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, VMRO DPMNE-ja ka fituar 58 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Pas marrjes së mandatit, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka afat prej 20 ditësh për paraqitjen në Kuvend të përbërjes së re të Qeverisë dhe programit të punës.

Mickoski ka thënë se dorëzimin e listës me emrat për përbërjen e Qeverisë së re do ta bëjë në afatin e parë të mundshëm.

"Pres që ta dorëzoj përbërjen sa më shpejt të jetë e mundur, apo para festave fetare që vijnë - Kurban Bajrami (16 qershor) dhe Dita e shpirtrave (21 qershor)”, ka thënë Mickoski.

Qeveria e re do të formohet nga VMRO DPMNE-ja, koalicioni shqiptar VLEN dhe lëvizja ZNAM. Këto tri parti së bashku do të kenë 78 deputetë.

Para votimit të Qeverisë, Kuvendi duhet të miratojë një ligj për riorganizimin e ministrive, megjithatë, për këtë nevojitet shumica prej dy të tretash (apo 80 vota) në Kuvendin prej 120 anëtarësh.

Mickoski të mërkurën i ka dorëzuar propozim-amendamentet në Kuvend, por ndonëse nuk ka dashur të konfirmojë drejtpërdrejt se a ka siguruar mbështetjen e 80 deputetëve, ka thënë se ata nuk janë “fillestarë në politikë” për të “besuar në rastësi”.

“Ne nuk jemi politikanë naivë që të besojmë në rastësi. Në politikë rrallëherë ka rastësi”, është shprehur Mickoski.

Mickoski nuk ka dhënë detaje rreth ndarjes së ministrive apo se kush do t’i drejtojë ato, ndërkohë që përfaqësues të koalicionit VLEN kanë thënë se në Qeverinë e re do të kenë një zëvendëskryeministër, gjashtë ministri, dy prej të cilëve do të jenë pa resor, si dhe shtatë zëvendësministra. Nga radhët e koalicionit VLEN është edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili në këtë post u zgjodh më 28 maj./ REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'