Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski, mori pjesë në Tuminec të bashkisë Pustec në ceremoninë përkujtimore për heronjtë e rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fjalën e tij, Mickovski dha mesazhe për ruajtjen e identitetit kombëtar maqedonas, bashkimin rreth interesave kombëtare dhe mbështetjen ndaj minoritetit maqedonas që jetonë në Shqipëri.

Ai shtoi se populli maqedonas ka arritur të ruajë gjuhën, kulturën dhe traditat e tij pavarësisht presioneve historike dhe kufijve ndër vite.

“Ky vend është dëshmi se populli maqedonas, pa marrë parasysh kufijtë, kohën apo presionet, kurrë nuk ka pushuar së jetuari me gjuhën, kulturën dhe përkatësinë e vet”, deklaroi Mickovski.

Sipas Mickovskit, maqedonasit në Shqipëri janë “pjesë e pandashme e trungut kombëtar maqedonas”, por edhe qytetarë besnikë të Shqipërisë.

Në fjalimin e tij, ai bëri thirrje edhe për unitet politik dhe kombëtar, duke theksuar se interesat kombëtare duhet të jenë mbi ndarjet politike të Shkupit.

“Maqedonisë sot më shumë se kurrë i nevojitet bashkimi”, tha Mickovski gjatë ceremonisë në Tuminec.