Midis Meros dhe Koços

I dashur Mero! Ka një parim në gazetari, që do më falësh që nuk po e respektoj: ai i të mos bërit polemikë publikisht me një koleg. Për më tepër, me njërin syresh nga më të nderuarit e të respektuarit. Debati që ngrite në shkrimin: “Na fal që të lamë në dorë të pushtetit të Koços”, meriton megjithatë debat.

Për ata qe s’e kanë lexuar artikullin tënd, parë nga një këndvështrim konstruktiv, ai mund të përmblidhet kështu: “A është e denjë në një shtet të së drejtës, që një deputet të ngrejë struktura paralele të organizimit të një komuniteti, duke pretenduar të ofrojë shërbime që dublojnë ose, më keq, që injorojnë pushtetin qendror apo vendor?”

Është një nga ato tema sa aktuale, aq edhe të vjetra sa ç’është koncepti i “polis” në organizimin e agorasë në Greqinë e lashtë, sa fare mirë mund ta gjesh në titull të një disertacioni konkursesh për t’u bërë funksionar, për shembull, në  Francë, vend ku adhurohet filozofia politike.

Por pata përshtypjen kur të lexova, se e kishe gjetiu “ngacmimin intelektual”. Nuk e kishe me fenomenin, me risinë e papëlqyeshme për ty që po ndjell implikimi tejmase në “agora” i K. Kokëdhimës, dhe që mund të diskutohet, por me personin Kokëdhima.  Një sulm “ad hominem” që nuk ta njihja më parë, arsyet e të cilit po më bëjnë kureshtar. Po i ndaj këtu refleksionet e mia duke u përpjekur të ngrihem më lart se tema e ditës. Ti more shkas nga një kronikë e zezë për të trajtuar një temë vërtet të dobishme. A kishe vërtet nevojë për këtë stimul keqdashës fiktiv? Nëse Le Monde donte të kritikonte kishën franceze që bëri çmos të bllokonte ligjin e martesës homo, e përditshmja frënge nuk kishte nevojë të gjuante në mënyrë burracake “poshtë rripit të pantallonave” duke rikujtuar sagën e disa priftërinjve pedofilë apo homo të Vatikanit, pasi kishte me bollëk argumente të tjera, më solidë e konstruktivë, dhe ashtu veproi, siç i ka hije gazetarisë. 

Sinqerisht, nuk e kuptova në shkrimin tënd vënien e Kokëdhimës para përgjegjësisë për aktin e izoluar të një pedofili të prezumuar Agron Cane, dhe aq më pak kryerjen  e këtij akti si pasojë e shtrirjes së pushtetit të Koço Kokëdhimës përtej pushtetit legal të dalë nga votat e qershorit  2013! Nuk besoj se kjo amalgamë qe rastësore. U prit momenti që të sulmohej një njeri antipatik për një pjesë të medieve si Koço Kokëdhima me një metodë aspak simpatike. Një akuzë radikale që ka avantazhin të presë shkurt çdo debat. Mjafton titulli për të kuptuar violencën e sulmit ndaj Kokëdhimës: “Na fal o e mitur  viktimë e pedofilisë, që të lamë në duart mizorë të pushtetit të Koços”.  Një titull që të jep përshtypjen e një gjahtari kaq kohë në pritë, sa kur i doli derri në shteg, nuk u mjaftua me çifte, por i drejtoi topin!

Në frëngjisht ka një proverb që thotë: “Kur do të heqësh qafe një qen, thuaj që ishte i tërbuar dhe askush s’do të të thotë gjë”. Po i vure mbi kurriz përgjegjësinë e pedofilisë një politikani, nuk je shumë larg së korruri të këtij rezultati, sidomos me lektoratin shqiptar, e veçanërisht të “Temës”…

Le t’i shmangemi sa të jetë e mundur kësaj teme të shpifur me të cilën duhet të merret drejtësia, dhe të përqendrohemi te çështja e cila më duket, ose, më mirë shpresoj, se përbënte shqetësimin kryesor te Mero Baze: a është i dëmshëm për shoqërinë dhe shtetin shqiptar  impenjimi i tepruar i një deputeti në zgjidhjet e halleve të një komuniteti? Nuk besoj se është Koço që rrezaton antipati. Është shoqëria shqiptare e tërhequr prej hunde nga mediet, që rrezaton frikë nga ato iniciativa që nuk bëjnë pjesë në përfytyrimet e saj kolektive. Kur lexoj Meron të habitur deri në zemërim pse deputeti Koço Kokëdhima krijon shërbime për shtetasit e zonës së tij jashtë strukturave të shtetit shqiptar, më ngjan sikur dëgjoj atë thënien: “Pse tregohesh më katolik se Papa”. E pse jo? Papa nuk ka monopolin e zemrës e të besimit, ashtu si shteti. Dhe, aq më pak, ai shqiptar, nuk mund të  ketë monopolin e solidaritetit.

A është "normal" Kokëdhima sipas standardeve shqiptare?

Në fakt, një gjë është e vërtetë apo e sinqertë në habinë e Meros, i cili ka parë e denoncuar kaq shumë ligësi në klasën politike dhe afariste shqiptare. Kjo marrje kaq seriozisht e rolit të deputetit nga ana e Koço Kokëdhimës është intriguese. Diçka fshihet mbrapa. Ja një biznesmen mik me një ish-kryetar opozite. Ai vetë bëhet deputet dhe miku bëhet kryeministër. Ai vetë bëhet superdeputet me atributet e një kryeministri bis, dhe miku bëhet një marionetë. Nëse gazetari nuk e ka kuptuar këtë skenar kaq trashanik, ai do të kryente gabim profesional. Është farkëtuar kështu dalëngadalë, por pa ndalim, miti i një Kokëdhime që na fsheh diçka, të cilit mund t’i besosh sa ç’mund t’i besohet një gjarpri. Dhe sa më shumë kafshimi po vonon, aq më shumë një pjesë e shtypit po e humbet toruan duke u futur në një cikël vetësugjestionimi halucinant, pasi provat reale mungojnë. Po të ndiqet kjo teori, pushteti i duhej Koços në mënyrë që të pasurohej vetë, të rregullonte të tijtë, apo që të zhdukte konkurrentet. Jo vetëm që prova të tilla nuk ekzistojnë, pasi po të ishte kështu Mero do të kishte nxituar t’i publikonte pa e ulur veten në akuza të tërthorta pedofilie, pra jo vetëm që ky superdeputet nuk po përfiton personalisht nga pushteti, por kulmi, hataja, çudia, po bën atë që pakkush në sallën e kuvendit e ka praktikuar: ta vërë atë pushtet që ka, në dispozicion të atyre që kanë më shumë nevojë. Atje ku një deputet “normal” shqiptar takohet me zonën një herë në katër vjet në fushatë zgjedhore, mistreci Kokëdhima jo vetëm që ka vendosur t’i takojë zgjedhësit e tij çdo javë,  por ka ngritur dhe zyra që të regjistrojë hallet e popullatës që i ka dhënë votën, dhe kur është e mundur t’ua zgjidhë ato, bash sikur të ishin zyra të shtetit! Ku është parë kjo në Zululandin e Faik Konicës që të sfidohet shteti nga një deputet i pasionuar për zonën e tij? Kjo mund të ndodhë në Perëndim, ku është normale të pritesh nga një deputet për të gjetur një punë a një shtëpi, deri te fshirja e një gjobe makine, por është jashtë mentalitetit shqiptar që një deputet të zgjidhë halle.  

Koço superman-i nuk ka megjithatë fuqi okulte që ta bëjnë si me magji të jetë kudo, edhe në Tiranë te salla e Parlamentit, edhe në Sarandë, edhe në Himarë, edhe në Qeparo, edhe…me një fjalë edhe te pushteti qendror, edhe te “bregasit” jugorë.  Nuk ka po ashtu fuqi, të regjistrojë në kokën e tij hallet nga me të shumëllojtat. Pasi Parlamenti shqiptar, një tjetër veçanti në raport me Europën, nuk e pajis çdo deputet me një atashé parlamentar, një lloj sekretari personal që e ndihmon të organizohet në morinë e përgjegjësive, në votimin e ligjeve në fusha ku deputeti nuk është ekspert dhe në zgjidhjen e problemeve të popullatës në probleme ku ai nuk është ekspert. Personalisht njoh një numër deputetesh në Shqipëri të cilët ma kanë pohuar që mungesa e këtij sekretari personal është një problem për ta. Ose më mirë një alibi se përse ata nuk janë aq efikasë sa pritet.

Por si ajo historia e vezës se Kristofor Kolombit që mjafton ta godasësh nga poshtë  që të qëndrojë në këmbë, edhe Koço praktikon një parim shumë të thjeshtë: Mobilizo njerëz vullnetarë, që t’u vijnë në ndihmë njerëzve nevojtarë! Kjo s’kërkon para, por energji, përkushtim dhe vokacion.  Nga Europa Perëndimore deri matanë Atlantikut, është fenomeni më nobël dhe më i zakonshëm që mund të hasësh: ai i shumëfishimit të shoqatave me vullnetarë për të korrigjuar mangësitë e pushtetit qendror e vendor. Janë batalione vullnetaresh për t’u siguruar bukë, strehë, kurim punësim a shkollim atyre që janë më në nevojë, ndonëse vetë “vullnetarët” nuk notojnë aspak në flori. Atje ku ne shqiptarët krenohemi se çojmë një grusht ushtarakësh në Afganistan e Irak, zviceranë, francezë, spanjollë, italianë, amerikanë e sa e sa kombe të tjera, çojnë shoqata humanitare, që asgjë nuk fitojnë përveçse vënë kokën në rrezik. Nuk janë shtetet që i dërgojnë, është ndërgjegjja. 

Altruizmi, një nga vlerat themelore që ka çimentuar shoqëritë e kulturës judeo-kristiane, është diçka që do të na dallojë edhe për një kohë të gjatë nga Bota e re dhe e pamëshirshme e parasë që po lind nga Moska në Pekin apo nga monarkitë e petro-dollarit. A duam edhe ne shqiptarët të jemi si këta “nouveaux riches”, me xhepat plot dhe kokën bosh e zemrën shterpë, apo të ndjekim instinktin tonë evropian, që të mëson se nuk mund të ketë parajsa të qëndrueshme individuale në një shkretëtirë kolektive. Po triumfoi bindja në Shqipëri (ajo tashmë ka triumfuar), se një deputet, një ministër, apo një funksionar i lartë, mendon vetëm si të rregullojë të tijtë, dhe pasi t’i ketë rregulluar, të vrasë mendjen si t’i superrregullojë deri në mbingopje kur të tjerët nuk gëzojnë as minimumin jetik, është e vërtetë, që një tip si Koço Kokëdhima, i cili humbet kohën t’u zgjidhë halle të panjohurve, duke u mbështetur te vullnetarë, edhe më të panjohur, një Ufo i tillë është ose një hileqar i madh që fsheh një skemë të sofistikuar përfitimi personal, ose një pervers i madh që s’ka tjetër kënaqësi vetëm të tallet veresie me fatkeqësitë e të tjerëve. 

Që Mero Baze të bjerë pre e këtyre klisheve konspiracioniste dhe mos ta marrë në konsideratë pasionin e një deputeti për mandatin e tij si një opsion i mundshëm, më duket e pabesueshme. Pasi në fund të fundit çfarë të keqe po bën Koço, që Mero e quan si sfidë ndaj shtetit, duke pritur hallexhinjtë? Ku është skandali që një deputet merr telefonin t’iu kërkojë sipërmarrësve lokalë të marrin në punë këta hallexhinj që kanë gjithë këto gojë për të ushqyer ? Ku është problemi Mero? Pse ti e sheh këtë si sfidë dhe jo si komplentaritet me strukturat shtetërore të punësimit? Pse ti këtë e quan herezi dhe jo model që duhet kuptuar e përhapur në mbarë vendin. Çdo të ndodhte sikur të dilte një tip në Shqipëri dhe të themelonte ekuivalentin e Kryqit të Kuq apo të Aksionit kundra urisë, apo të Mjekëve pa kufi? Do të ulërinit me kasandrat si e papranueshme, si shkelje e kompetencave te shtetit? Absurde! Ç’janë këto ide stupide që një deputet duhet të veprojë sipas shtetit dhe jo sipas ndërgjegjes së tij? Ç’është kjo amalgamë midis deputetit dhe ministrit? I pari përfaqëson popullin dhe i jep llogari vetëm atij. I dyti, përfaqëson shtetin dhe duhet të bindet.  Le ta çojmë imagjinatën edhe më larg,  sikur një deputet  shqiptar të mblidhte misionarë vullnetarë për në Lampedusa për t’u kujdesur për ata të shkretë afrikanë siç u kujdesën italianët për ata dhjetëra mijëra boat-people nga Shqipëria. Çfarë do të thoshin mediet në Shqipëri, mos ndoshta se kështu sfidohet Ministria e Jashtme? Po sikur një nga këta misionarë vullnetarë shqiptarë të përdhunonte atje një të mitur afrikane, a mos vallë do të çirrej shtypi shqiptar siç po e bën Mero Baze ndaj Koço Kokëdhimës, se fajin e ka deputeti që mblodhi vullnetarë me kokën e vet pa i marrë leje shtetit? 

Broçkulla me kuintalë, kur dihet fare mirë që përfaqësues të shtetit mund të bëjnë po ashtu gafa. Ata që vodhën Bankën e Shqipërisë, mos ishin gjë vullnetarë të Koços?! Një lutje pra, sidomos për mediet që farkëtojnë opinionin publik: mos t’i pengojmë por t’i inkurajojmë sipërmarrjet e atyre që kanë dëshirë apo ideal të investojnë nga koha e tyre për të tjerët! Për më tepër që jemi vend që kemi shumë mangësi në këtë drejtim. Shqipëria është një nga ato vende paradoksale ku venerohet Nënë Tereza si shqiptarja më e famshme në botë, por nuk ka një shoqatë shqiptare të bëjë atë që bënte ajo grua e vogël dhe e admirueshme. Shqipëria është një nga ato vende paradoksale, ku çdo sondazh tregon se fjala “shoqatë”, përkthehet si një krijesë për të zhvatur subvencione dhe jo për t’i dhënë tjetrit nga vetja jote. Shqiptarët janë ata njerëz paradoksalë që irritohen me të drejtë kur na përçmojnë në Greqi apo Itali, sapo dëgjojnë që jemi shqiptarë, dhe nga ana tjetër flasin me një urrejtje irracionale ndaj “çeçenëve” tanë të veriut, që kanë pushtuar Tiranën. 

E megjithatë, ne shqiptarët s’jemi as kurnacë, as indiferentë ndaj fatkeqësive njerëzore. Ne dimë të ndajmë, thuajse instinktivisht, kur na trokasin në derë për hall, siç qe rasti me një numër hebrenjsh, dje, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, apo me qindra mijë kosovarët që pritëm në kohën e dëbimit të tyre masiv, prej Milosheviçit. Problemi ynë, si shqiptarë, është se nuk dimë apo nuk e kemi në kulturë të shkojmë drejt tjetrit që është në hall. Dhe ai që e bën një gjë të tillë, shihet me dyshim. Kjo i ndodh Koços sot. Ashtu siç u ndodh atyre shoqatave që punojnë me kurajë për integrimin e romëve dhe që paragjykohen se pak u “prehet” për romët, por e bëjnë për subvencione. 

Po e mbyll këtë artikull me shpresën se Mero, te cilin e vlerësoj veçanërisht dhe që ia njoh meritën madhore për përmendjen e skenarit të rrezikut të ardhjes së armëve kimike në Shqipëri, t’i shohë gjërat me pozitivisht. Nuk fle problemi te zelli i Koços për të zgjidhur hallet e zonës elektorale të Sarandës. Po qe aty puna, zoti ia shtoftë inatin! Problemin unë e shoh tek ata që na e lanë Shqipërinë në këtë gjendje dhe bërtasin si ai hajduti që tregon me gisht: “Kapeni hajdutin!” Përballë kësaj lukunie të pamëshirshme, të pagdhendur, të pangopur që prej dy dekadash dhe revanshiste, figura e një Koço Kokëdhime që s’ka mbushur ende vitin si deputet, veçse më lartësohet. Në bankën e të akuzuarve s’mund të jenë kurrsesi njerëz si Kokëdhima, që punojnë shumë dhe flasin pak, por ata që bënin dhe bëjnë të kundërtën. 

Para shumë vitesh, Mero Baze u gabua rëndë, siç e ka pranuar vetë, në vlerësimin e një politikani të lartë, që e kujtoi ndryshe dhe rezultoi ndryshe. Do të ishte për të ardhur keq sikur të gabohej sërish. Meraku im kryesor nuk është, megjithatë te karriera e Meros, por te Kokëdhima. Nuk duhet që meskinëri të tilla ta lëndojnë dhe ta frenojnë në rrugën që ai ka nisur në shërbim të jugorëve. Nëse duam të bëjmë diçka për vendin, të përpiqemi të ndërmarrim gjëra të thjeshta, por konkrete, në nivelin lokal, pasi vetëm ato të çojnë drejt suksesit kombëtar. As Roma dhe as Europa nuk u bënë në një ditë. Por pa njerëz me vullnet që çanin përpara, pa u ndalur një sekondë para smirëtarëve dhe mosbesuesve, ato nuk do të bëheshin kurrë një dite. Është e njohur, "Nemo propheta in patria...!".

Marrë nga "Shekulli"

Redaksia Online

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ “Amour” është shfaqja teatrore tek Universiteti i Arteve! Capital T koncert në Shkodër

Aktivitetet kulturore/ “Amour” është shfaqja teatrore tek Universiteti i Arteve! Capital T koncert në Shkodër