Vdesin 2 persona gjatë protestës në Minks, ushtria thotë se nuk do të tolerojë akte të dhunës në Bjellorusi (Video)

Vdesin 2 persona gjatë protestës në Minks, ushtria thotë se nuk do të tolerojë akte të dhunës në Bjellorusi (Video)

Protesta në Minks të Bjellorusisë

Dhjetëra mijëra persona janë mbledhur në Minsk për të kundërshtuar rizgjedhjen e Aleksandër Lukashenkas në postin e presidentit, por edhe për të dënuar shtypjen e protestave nga autoritetet.

Në këtë protestë raportohet se ka prezencë të shtuar ushtarake.

Kjo është dita e 15-të me radhë që në Bjellorusi po mbahen protesta kundër Lukashenkas.

Mijëra persona janë mbledhur në “Sheshin e Pavarësisë”, duke valëvitur flamurin e Bjellorusisë. Në protestën që po quhet si "Marshi për Bjellorusinë e re" raportohet se po marrin pjesë mbi 100 mijë persona, shkruan REL.

Protestuesit po brohorasin “Largohu”, një referencë kjo ndaj Lukashenkas, të cilit po i kërkojnë që të largohet nga pushteti. Lideri autoritar bjellorus udhëheqë me vendin qe 26 vjet.

Para nisjes së protestës, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ushtria do të përkujdeset që memorialet kombëtare të mos sulmohen nga protestuesit. Kjo ministri, përmes një njoftimi për media, tha se nëse monumentet dhe statujat bëhen cak i protestuesve, atëherë protestuesit do të përballen me forcat policore dhe ushtrinë.

Duke i përshkruar protestuesit si "fashistë", Ministria e Mbrojtjes tha se memorialet - veçanërisht ato që iu dedikohen viktimave të Luftës së Dytë Botërore - nuk duhet të sulmohen nga protestuesit.

Ministria paralajmëroi se forcat ushtarake do të ndërhyjnë nëse ka shkelje të paqes, duke i porositur protestuesit : "Tani ju do të përballeni me ushtrinë dhe jo me policinë".

Deklarata e lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes vjen në kohën kur në Minsk janë parë duke u sjell forca të ushtrisë.

Kanali NEXTA , ka raportuar se përgjatë rrugëve hyrëse për në kryeqytetin bjellorus, Minsk, policia ka vendosur pika të kontrollit.

Në ndërkohë, trupi i një 28-vjeçari është gjetur në një pyll në afërsi të Minskut dhe trupi i tij kishte shenja të dhunës. Sipas një ueb-faqe të lajmeve, Mikita Kryutsov, ishte zhdukur pasi kishte marrë pjesë në një protestë në Minsk më 12 gusht.

Deri më tani, dy persona janë konfirmuar se kanë vdekur në protestat në Bjellorusi.

Zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, që u mbajtën më 9 gusht, janë kritikuar edhe nga Bashkimi Evropian, që ka thënë se nuk do ta njohë rezultatin zgjedhor. Në këto zgjedhje, Lukashenka thotë se ka fituar mbi 80 për qind të votave.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë kritikuar procesin zgjedhor dhe kanë dënuar shtypjen e protestave.

Mbi 7,000 protestues raportohet se janë burgosur dhe qindra të tjerë janë rrahur nga policia.

Në solidaritet me bjellorusë, gjatë të dielës janë paralajmëruar se do të mbahen protesta edhe në 26 vende të botës.

Svyatlana Tsikhanouskaya, kandidatja opozitare në zgjedhjet e 9 gushtit - që iku për një Lituani menjëherë pas zgjedhjeve - pretendon se ka fituar 60 deri në 70 për qind të votave. Më 22 gusht, ajo tha se bjellorusët duhet të "luftojnë për të dretjat e tyre" dhe të mos i besojnë Lukashenkas kur thotë se shteti është nën kërcënim ushtarak.

"Ne jemi njerëzit e Bjellorusisë, jemi shumica dhe nuk do të zmbrapsemi. Ne nuk kemi më frikë", tha ajo për agjencinë e lajmeve AFP.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi sot pjesëtarët e opozitës që u larguan nga Bjellorusia se po kërkojnë "gjakderdhje", raportoi agjencia e lajmeve Ria-Novosti.

Ai tha se Moska bën thirrje për një dialog të brendshëm në Bjellorusi.

Lukashenka së fundmi ka urdhëruar ushtrinë që të ashpërsojë masat, në mënyrë që të mbrojë kufijtë e vendit, duke aluduar se forcat e NATO-s në vendet fqinje - në Poloni dhe Lituani, i janë afruar shumë kufijve të Bjellorusisë.

Por, këto deklarata të Lukashenkas nga NATO-ja janë cilësuar si të pabaza.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Universitetet amerikane u bëjnë thirrje studentëve të huaj të kthehen përpara inaugurimit të Trump

Universitetet amerikane u bëjnë thirrje studentëve të huaj të kthehen përpara inaugurimit të Trump