PRISHTINË-Nën moton “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”, mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë kanë nisur protestën në Prishtinë, në sheshin Skënderbeu. Në pamjet e protestës shihen mijëra protestuesë, ndërkohë që kjo protestë vjen 2 muaj pasi presidenti Hashim Thaçi, hodhi idenë për një korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.

Ideja e Thaçit u kundërshtua ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera opozitare në Kosovë. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thirrur qytetarët që të mbështesnin këtë protestë dhe siç duket ata i janë përgjigjur kësaj kërkes. Gjatë kohës që Kurti ka folur para protestuesve, koret janë dëgjuar me fjalët “Poshtë Hashim Thaçi”, “Rroftë Albin Kurti”.  Kurti ka kërkuar zgjedhje të parakohshme si një zgjidhje imediate për situatën ku ndodhet Kosova. Vetëvendosje dhe Kurti kanë akuzuar Thaçin se do t’i japë Serbisë territor nga i Kosovës.

Jemi të zemëruar si rrallëherë më parë, por edhe të bashkuar e me shpresë si rrallëherë më parë. Pavarësia e Kosovës është dashtë të jetë pavarësi e shtetit e jo e pushtetit. Qeveria po na rritet, e shteti po na zvogëlohet. “Populli s’duhet të nënshtrohet prandaj jemi këtu bashkë sot. Kosova është shtet i kapur, çlirimi nga okupatori i huaj, na u zëvendësuar me uzurpatorin tonë. Në Kosovë ligj ka por jo drejtësi, shkolla ka jo arsim. Spitale ka por jo shërim. Të dashur qytetarë, Republika është në rrezik prandaj ne qytetarët jemi këtu në shesh sepse ata nuk do të jenë në pushtet. Me hajna, me hajna, nuk ka shtet. Aq shumë e duam Kosovën Republikë, e bashkimin me Shqipërinë, sa në asnjë rrethanë nuk i nënshtrohemi një njeriu.  Kërkojmë zgjedhje të parakohshme për këtë situatë. Republika jonë është në rrezik.

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje