Sipas njoftimeve nga republika qendrore ruse Bashkortostan rreth 1,500 protestues protestuan në kryeqytetin e rajonit, në Ufa të premten në një demonstratë të rrallë kundër dënimit këtë javë të aktivistit Fail Alsynov, me katër vite burg, “për nxitje të urrejtjes etnike.”
Pamjet nga Ufa – rreth 1,500 kilometra në lindje të Moskës – të transmetuara nga media e pavarur ‘SOTAvision’, tregojnë policinë duke u shtyrë me protestues dhe duke arrestuar disa prej tyre gjatë protestës. Sipas kësaj medie, protestuesit kënduan dhe vallëzuan në temperatura të acarta ndërsa bënin thirrje për lirimin e aktivistit Alsynov.
Sipas njoftime, të paktën dhjetë persona u arrestuan.
Protesta e të premtes ndodhi pas asaj të së mërkurës para gjykatës në Baymak, që ndodhet 412 kilometra në jug të Ufës, në afërsi të kufirit me Kazakistanin, ku aktivisti Alsynov u dënua. Raportet nga vendi i ngjarjes njoftojnë se policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra protestues dhe arrestoi të paktën nëntë persona.
Sipas Radios Evropa e Lirë, Ministria e Punëve të Brendshme e Bashkortostan-it lëshoi të enjten një paralajmërim kundër “tubimeve publike dhe protestave pa leje”.
Vëzhguesit thonë se protestat dhe tubimet në Bashkortostan këtë javë janë më të rëndësishmet që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës më 2022.
Zotit Alsynov, aktivist i njohur në Bashkortostan, i është ngritur padia në lidhje me një fjalim që ka mbajtur në prill të vitit 2023 gjatë të cilit ai foli kundër mihjes së arit në një mal që konsiderohet i shenjtë nga banorët e Bashkortostanit, shumica e të cilëve janë myslimanë me prejardhje turke.
Zoti Alsynov është aktivist që angazhohet për ruajtjen e kulturës bashkire. Në të kaluarën ai gjithashtu ka folur kundër sulmit rus ndaj Ukrainës.
Media publike britanike BBC, duke cituar gazetarin vendas Artur Asafyev, raportoi se autoritetet kanë për qëllim të krijojnë shembull nga zoti Alsynov duke i shqiptuar dënim edhe më të ashpër sesa dënimi që kërkoi prokurori.
BBC-ja po ashtu ka njoftuar se autoritetet në Bashkortostan kanë hapur hetimet ndaj disa të arrestuarve në protestat e javës së kaluar, duke kërkuar ndaj tyre të ngritën padi “për demonstrata popullore”, të cilat dënohen deri me 15 vite heqje lirie./ VOA