Prizreni është kthyer këtë fundjavë në një nga destinacionet më të preferuara për shqiptarët që vendosën ta festojnë 8 Marsin jashtë vendit.

Rrugët e qytetit historik janë mbushur me vizitorë nga Shqipëria, ku shumica janë gra dhe vajza që kanë zgjedhur Prizrenin për një ditë feste, shëtitje dhe drekë me shoqërinë. Moti i mirë pranveror ka sjellë një atmosferë të gjallë në qendër të qytetit, me kafenetë dhe sheshet plot gjatë gjithë ditës.

Megjithatë, Prizreni nuk ka qenë i vetmi destinacion. Edhe qytete të tjera të Kosovës kanë parë një rritje të vizitorëve nga Shqipëria, që kanë shfrytëzuar fundjavën dhe festën për një udhëtim të shkurtër përtej kufirit.

Shifrat e fundjavës tregojnë qartë këtë lëvizje. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, drejt Kosovës kanë dalë 10,423 shtetas të Shqipërisë me 3,860 automjete.

Ndërkohë, në Shqipëri kanë hyrë 12,256 shtetas të Kosovës me 4,528 automjete, duke treguar një qarkullim të madh në të dy drejtimet gjatë fundjavës së 8 Marsit.

Prizren kjo është parë qartë në rrugët e qendrës historike, ku grupe grash dhe vajzash janë parë duke bërë foto pranë Lidhjes së Prizrenit dhe duke shijuar restorantet tradicionale të qytetit.