Arsenali përgatitet për sfidën e parë çerekfinale të Champions League, ku do të përballet sot me Sportingun e Lisbonës në stadiumin 'Jose Alvalade' në orën 21:00. Në prag të këtij dueli të rëndësishëm, trajneri Mikel Arteta ka dalë në konferencën për shtyp, duke theksuar vështirësinë e përballjes.
Tekniku spanjoll konfirmoi mungesat e rëndësishme në skuadër, ato të Bukayo Saka dhe Jurrien Timber, të cilët nuk kanë udhëtuar me ekipin dhe mbeten në dyshim, me shpresën për t’u rikthyer në fundjavë.
Duke folur për kundërshtarin, Arteta vlerësoi formën e Sportingut.
“Kur shikon se çfarë kanë bërë, sidomos në shtëpi dhe në këtë sezon të Champions League, e kupton sa e vështirë është kjo ndeshje. Kjo na motivon edhe më shumë", tha ai.
Një element interesant i kësaj përballjeje është lidhja e Viktor Gyokeres me ish-klubin e tij. Arteta u shpreh se sulmuesi është shumë i lidhur emocionalisht me Sportingun, duke theksuar respektin dhe mirënjohjen e tij për periudhën në Portugali.
Trajneri i Arsenalit zbuloi gjithashtu se ka marrë informacione nga vetë Gyokeres për kundërshtarin.
“Sigurisht që i kërkova ndihmë për të kuptuar më mirë dinamikën dhe kulturën e klubit. Ata kanë shumë cilësi dhe ajo që po bëjnë është e jashtëzakonshme. Rekordi i tyre në shtëpi është i pabesueshëm”.
Lajmi kryesor:
Finale e parakohshme në Champions League, Real Madridi luan sot kundër Bayern Munich në 'Bernabeu'! Arsenali udhëton drejt Portugalisë




