Qendra Europiane e Mikrofinancës (Organizmi më i madh i mikrofinancës në Europë) çeli sot punimet e Asamblesë së saj të Përgjithshme vjetore 2016 duke mbledhur në Tiranë krerët më të rëndësishëm të mikrofinancës në Europë. Kjo është hera e parë që të gjithë krerët më të lartë të Mikrofinancës Europiane mblidhen në Shqipëri. Aktiviteti u organizua nga Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës.
 
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti; Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi; Presidenti i Qendrës Europiane e Mikrofinancës, Grzegorz Galusek si dhe përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, institucioneve financiare vendase dhe ndërkombëtare, rreth 400 përfaqësues nga 104 Fonde, Institucione Financiare dhe Banka nga 32 shtete europiane etj.
 
Ministrja e Ekonimisë, Milva Ekonomi, vlerësoi nismën e ndërmarrë nga Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës dhe rëndësinë e një aktiviteti të tillë, i cili e kthen Shqipërinë në “kryeqytetin Europian të Mikrofinancës”.
 
Duke shprehur mbështetjen e qeverisë, ministrja Ekonomi u ndal tek rëndësia e mikrofinancës në ekonominë shqiptare duke thënë se përfaqëson një portofol prej 110 milionë eurosh.
 
“Ajo çfarë kemi vënë re në këto 22 vite funksionimi është se, mikrofinanca në Shqipëri përfaqëson rreth 60 mijë sipërmarrës, familje ose fermerë, të cilët kanë mundësuar marrjen e këtyre fondeve dhe fondet që ato kanë arritur të përfitojnë kanë qenë rreth 110 milionë euro. Mikrofinanca në Shqipëri është një iniciativë që nisi që nga viti 1992, si iniciativë e qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore” - tha ministra Ekonomi.
 
Nga ana e tij, Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti shprehu mbështetjen maksimale për institucionet e mikrofinancës, duke i cilësuar ato si një frymëmarrje për bujqësinë.
 
“Bujqësia ka nevojë aq shumë për financim. Duhet të punojmë së bashku që të mbështesim bujqësinë të rrisë kapacitetet. Fondet e mikrofinancimit janë prezente në gjithë vendin, edhe aty ku nuk shkojnë dot bankat. Bujqësia është lokomotiva e ekonomisë sonë dhe meriton më shumë vëmendje”- tha ministri Panariti.
 
Sipas tij, institucionet e mikrofinancës kanë mbështetur mijëra biznese të vogla dhe rurale, por kjo mbështetje duhet të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme. Panariti theksoi se ka ardhur koha që bujqësia të orientohet nga tregu, në mënyrë që produktet të lidhen me tregjet potenciale.
 
Ndërsa përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë thanë se roli i institucioneve të mikrofinancës është i rëndësishëm në kreditim. Ata thanë se ediventohen raste kur mikrofinancat kanë rezultuar më efikase se bankat komerciale.
 
Aktiviteti vjen si një vlerë e shtuar në përpjekjet për përmirësimin e imazhit financiar të Shqipërisë në Europë.  Punimet e Asamblesë së Përgjithshme vjetore të Qendrës Europiane të Mikrofinancës në Tiranë do të sjellin një shtysë të rëndësishme përsa i përket tërheqjes së investitorëve të huaj për të parë Shqipërinë si një mundësi reale investimi ndërsa ka ana tjetër do të shërbejë si një mekanizëm për të promovuar politikat e vetëpunësimit të qeverisë shqiptare në mbështetje të sipërmarrjes duke e quajtur Shqipërinë si një shembull suksesi në nivel europian. 
 
Zhvillimi i këtij takimi në Tiranë është i një rëndësie të veçantë për sektorin e mikrofinancës shqiptare. Ai konfirmon maturitetin dhe nivelin organizativ të rrjetit të mikrofinancës në Shqipëri i cili përfaqëson sot mbi 20% të portofolit në numër të kredive të dhëna në vend. Financimet, të cilat kanë shkuar kryesisht drejt biznesit të vogël, fermerëve dhe individëve me të ardhura të ulëta duke arritur ndër vite 350.000 përfitues për më shumë se 1 miliard dollarë në Shqipëri. 
 
Për sa i përket punësimit, në sektorin e mikrofinancës janë punësuar më shumë se 1.100 persona në 157 zyra të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sot Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës regjistron 61.570 klientë aktivë duke ndikuar në mënyrë të drejt për drejtë tek 10% e të punësuarve në bizneset e vogla dhe rurale.
 
Edhe për vitet e ardhshme fokusi i Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës do të jetë tek bujqësia duke i mundësuar kredi bizneseve dhe individëve të ndryshëm që nuk mund t’i drejtohen sektorit bankar. Duke marrë parasysh penetrimin e ulët që ka sistemi bankar në Shqipëri (më i ulëti në rajon) mikrofinanca është zgjidhja më e mirë për një sërë biznesesh të vogla dhe rurale.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com