/ATSH/- Institucioni i mikrokredisë rurale e mbylli vitin 2014 me një tepricë kredie prej 3.7 miliardë lekë, depozita më shumën se 2.5 miliardë lekë dhe kapital në vlerën e 1.1 miliardë lekë.

Megjithëse aktiviteti i institucionit mikrofinanciar rural daton që në vitin 1992, me programet e para ajo arriti të përmbushë nevojat dhe kërkesat e popullates rurale me shërbime financiare.

Gjatë kësaj periudhe, institucioni ka kaluar në disa faza transformimi duke u përballur me sfida të ndryshme, të cilat janë kapërcyer me sukses duke sjellë edhe konsolidimin e vazhdueshëm të institucionit. Me shërbimet e veta financiare të ofruara ekzkluzivisht për popullatën rurale, Unioni SHKK ka ndërhyrë në mbi 1,100 fshatra të shpërndara në 16 rrethe të Shqipërisë. Eshtë kjo zonë në të cilën jeton 50% e popullatës rurale në vend dhe që praktikisht ka një akses të kufizuar në shërbimet financiare të sistemit bankar.

Me anë të aktivitetit mikrofinanciar, Unioni SHKK mbulon kufizimet e aksesit në shërbimet financiare të këtij target grupi. Rezultatet e sistemit, sipas të cilit funksionon Unioni dhe SHKK-të anëtare të tij, dëshmojnë se institucioni zotëron qëndrueshmëri dhe stabilitet duke ofruar dhe plotësuar më së miri nevojat e popullsisë në zonën rurale.

Njëkohësisht, aktiviteti i Unionit ka pasur dhe vazhdon të ketë një impakt mjaft të dukshëm social në zhvillimin rural te zones dhe përmirësimin e kushteve të popullatës qe jeton e punon në zonën rurale.