Milan ka qenë shumë pranë fitores në Bergamo ndaj Atalantës, por edhe barazimi 1-1 në transfertë përballë një rivali direkt për Europa League nuk është i keq.
Në një ndeshje të luftuar nën shiun e rrëmbyeshëm të Bergamo, kuqezinjtë kaluan në avantazh në saj të golit të shënuar nga Franck Kessie, pas një ore lojë. Mesfushori, që vjet luante me Atalanta, goditi saktësisht nga jashtë zone.
Të dy ekipet e vazhduan ndeshjen me dhjetë futbollistë pasi Rafael Toloi në minutën e 64-t dhe Ricardo Montolivo, dhjetë minuta më vonë, u ndëshkuan me karton të kuq.
Mbrojtja e Milan, me në krye kapitenin Leonardo Bonucci, që luante ndeshjen e tij të 300-të në Serie A, u dorëzua në minutën e parë shtesë, kur Atalanta barazoi me golin e Masiello.