Milani po lëviz për merkaton e verës, duke nisur nga një shitje e rëndësishme. Klubi kuqezi është gati t’i thotë lamtumirë Rafael Leaos, nëse merr një ofertë mes 40 dhe 50 milionë eurove. Për momentin kjo ofertë nuk ka ardhur. Portugezi ka një kontratë deri në 2028-ën dhe fiton rreth 7 milionë euro në vit.

Pistat e vetme të hapura janë si gjithmonë Arabia Saudite dhe Premier League. Është edhe Barcelona, që e ka kërkuar në të kaluarën, por tani nuk duket se ka më entuziazëm për portugezin. Ka gjasa që Leao të futet në grupin e zëvendësuesve të mundshëm të Rashford, nëse anglezi rikthehet në Manchester.

Leao nuk ngjall më atë interesin e dikurshëm. Në Verona dha asistin për Rabiot, por pjesa tjetër e ndeshjes ishte në nivelin që po shenjon sezonin e tij. Allegri po përpiqet ta menaxhojë, teknikisht dhe nga ana njerëzore. Por fërshëllimat në “San Siro” kanë treguar edhe fundin e durimit të popullit kuqezi.

Milani gjithsesi nuk mund të privohet lehtë prej tij, sespe bëhet fjalë për një sulmues që ka qenë i rëndësishëm vitet e fundit. Edhe këtë sezon, i torturuar nga dëmtimet dhe rënia e formës, ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë 3 asiste në një rol që nuk e ka mbuluar më parë.

Botërori me Portugalinë është një rast i mirë për rilindje dhe Milani do të vendosë, nëse do t’i japë një shans tjetër, apo do të pranojë ofertat. Nëse këto të fundit do të jenë të rëndësishme, Leao me shumë mundësi do të shitet.