Frenk Kessie i ka dhuruar një trepikësh shumë të rëndësishëm Milanit në luftën për të siguruar një vend në “Champions League”. “Djalli” në “San Siro” ka mposhtur 1-0 Lazio-n, kundërshtarin direkt për objektivin në fjalë. Gjithçka u vendos nga një penallti në minutën e 79-t, e realizuar përsosmërisht nga mesfushori 22-vjeçar.
Pas ndeshjesh te Lazio ka vend për shumë zhgënjim, përveç Strakoshës që bëri një superparaqitje. Ndërkohë nga ana e kryeqytetasve nuk munguan as akuzat ndaj gjyqtarit, i cili akordoi penallti pa konsultimin me “VAR”.
Tre pikët ka marrë edhe Roma, që kundër Udinezes në “Olimpico” i ka mjaftuar goli i Dzeko-s.
Ashtu si në “Seria A” edhe në “Premier League” lufta për një vend në “Champions” vijon të jetë shumë e fortë. Pas fitores të Tottenham me shifrat 4-0 kundër Huddersfield edhe Manchester United ka marrë tre pikët. Në ‘teatrin e ëndrrave’ “djajtë” e Solskjaer kanë triumfuar 2-1 kundër West Ham. Pogba do të zhbllokonte fillimisht rezultatin me penallti, ndërsa pak pas fillimit të pjesës së dytë Felipe Anderson barazoi për londinezët. Gjithsesi në Manchester do të ishte dita e Pogba-s që në minutën e 80 sërish me 11-metërsh shënoi golin e fitores.