Lazio ka zhytur zyrtarisht Milanin në krizë. Kryeqytetasit në ndeshjen e fundit të javës së 19 të Seria A kanë poshtëruar me rezultatin 4-0 ‘djallin’ kampion në fuqi, duke e çuar në 3 numrin e ndeshjeve të tyre pa fitore në kampionat , ndërsa në total ishte ndeshja e 5 ku Milan nuk arrin një sukses, përfshirë Kupën dhe Superkupën.
Milinkovic-Savic nisi serinë e golave që në minutën e katërt, ndërsa Zacagnni dyfishoi brenda pjesës së parë. Në fraksionin e dytë të lojës Luis Alberto me penallti dhe në fund Felipe Anderson fundosën skuadrën e Piolit, që largohet shumë me kreun pavarësisht se vijon të renditet në vendin e dytë.
Milan ka aktualisht 38 pikë, 12 më pak se Napoli kryesues. Ky është edhe rekord për Seria A, pasi asnjëherë vendi i parë nuk ka patur këtë diferencë me ndjekësit pas 19 javësh, që përkthet me gjysmën e kampionatit. Për këtë arsye në Napoli ka nisur numërimi mbrapsht për titullin kampion.
Për t’iu rikthyer disfatës, pas ndeshjes me Lazio-n trajneri i Milanit Stefano Pioli është shprehur se ‘shumë gjëra nuk funksionojnë, ndërsa ka shtuar se ka edhe ngërç psokologjik’. Sakaq drejtori Maldini deklaroi që ‘është një moment delikat, por duhet patur besim te trajneri’. Për t’u veçuar në këtë ndeshje ishte edhe shqiptari i kombëtares Elseid Hysaj, një nga më të mirët për Lazio-n në fushë. Ai është vlerësuar me notën 6.5 nga Corriera della Sport dhe përshkruhet si ‘një lojtar i cili bëri ligjin në korsinë e tij’.