Me dhjetë lojtarë që prej minutës së 33-të dhe me mungesa të shumta por Milani nuk di të ndalet dhe mbetet në kryesim të kampionatit italian. Kuqezinjtë mposhtën Beneventon 2-0 në transfertë në javën e 15-të me golin e Kessie me penallti në pjesën e parë ndërsa në të dytën llogaritë i mbylli Leao me një gol të bukur. Caprari humbi një penallti për Beneventon dhe Milani me 37 pikë udhëheq Serinë A.
Juventusi u rikthye tek fitorja duke e nisur mjaft mirë vitin e ri. Kampionët në fuqi mposhtën në Torino 4-1 Udinesen dhe siguruan tre pikë jetike . Dy gola shënoi Cristiano Ronaldo dhe nga një herë e tundën rrjetën Chiesa e Dybala për ekipin e Andrea Pirlos. Me 27 pikë Juventusi ngjitet në vend të pestë ndërsa të mërkurën në mbrëmje provon veten në “San Siro” ndaj Milanit kryesues.
Në La Liga ekipet e mëdha e nisën vitin e ri me fitore. Pas Real Madrid fitoi edhe Barcelona edhe pse minimalisht. Goli i de Jong ishte i mjaftueshëm për të mposhtur Huescan.
Atletico Madrid nuk gabon dhe mbetet në kryesim me 38 pikë dy më shumë se Real Madrid. Atletico mposhti 2-1 Alaves në transfertë me golin e fitores të shënuar në limite nga Luis Suarez.
Ndërkaq në Angli Chelsea vijon në rënie të lirë dhe dje mori një leksion nga Manchester City në ndeshjen e javës së 17-të. Djemtë e Pep Guardiolës fituan 3-1 në Londër dhe i mbyllën llogaritë që në pjesën e parë me golat e Gundogan, Foden dhe De Bruyne. Vetëm vlerë statistikore kishte goli i Hudson-Odoi i shënuar në fund për Chelsea. / Përgatitit: Andi Kapxhiu