Atëherë kur pritej konfirmimi i një skuadre që mund të luftonte për objektiva të kosniderueshme Milani ka bërë një figurë shumë të keqe në javën e 17 të Seria A. ‘Djalli’ është mposhtur me rezultatin e thëllë 5-0 nga Atalanta në takimin e zhvilluar në Bergamo.
Takimi u zhbllokua që në minutën e 10 nga Gomez i cili brenda zonës la të shtangur Donnarumma-n me një të djathtë potente. Në pjesën e dytë, në harkun kohor të tre minutave, Atalanta e Gjimshitit, shënoi edhe dy gola të tjerë duke i dërguar shifrat në 3-0.
Për t’u veçuar ishte goli i katërt i realizuar nga Ilicic, i cili me të majtën nga jashtë zone e dërgoi topin në trekëndësh pas një inkursioni nga krahu. Në fund pati kohë edhe për një gol të Luis Muriel.
Kjo ishte mbyllja më e shëmtuar që Milan mund t’i bënte këtij viti, pasi kjo ishte ndeshja e fundit e ‘djallit’ për 2019.