Pak ditë para hapjes së merkatos dimërore, Milani ka nisur lëvizjet e para konkrete në treg. Sipas 'Sportmediaset' klubi kuqezi ka paraqitur një ofertë zyrtare me shkrim për portierin e Corinthians, Hugo Souza.

Bëhet fjalë për gardianin brazilian të lindur në vitin 1999, një nga protagonistët kryesorë të sezonit të fundit të Corinthians, i mbyllur me sukses me fitimin e Kupës së Brazilit dhe Kampionatit Paulista. Interesimi i Milanit lidhet ngushtë edhe me situatën kontraktuale të Mike Maignan, i cili brenda pak javësh do të jetë i lirë të negociojë si lojtar pa kontratë.

Duke mos dashur të gjendet i papërgatitur në rast se rinovimi me francezin nuk konkretizohet, drejtuesit kuqezi kanë tentuar të sigurojnë një alternativë për portën. Megjithatë, oferta e Igli Tares është refuzuar, si nga Corinthians ashtu edhe nga vetë lojtari.

Klubi brazilian vlerëson se çmimi i Hugo Souzas në treg është më i lartë se propozimi i paraqitur nga Milani, ndërsa portieri, i lidhur me Corinthians me kontratë deri në vitin 2028, dëshiron të qëndrojë në Brazil të paktën deri në Kupën e Botës. Vetëm pas këtij objektivi, Souza mund të mendojë për një aventurë të re në Evropë.

Për momentin, pista Hugo Souza mbetet e mbyllur për Milanin, i cili pritet të vazhdojë monitorimin e tregut në pritje të zhvillimeve për të ardhmen e Maignan.