ITALI - Të martën u shpërndanë medaljet e radhës në Lojërat Olimpike 'Milano Cortina 2026'. Në Slalomin Special Ekipor për vajza, ishte Austria që triumfoi para Gjermanisë dhe SHBA-së, ndërsa Mikaela Shiffrin mbeti jashtë podiumit.

Biatlon, ishte norvegjezi Johan Olav Botn që u shpall kampion olimpik në 20 kilometra. Në disiplinën e stilit të lirë, Slopestyle, për djem triumfoi norvegjezi Birk Ruud. Për vajza fituese u shpall suedezja Linn Svahn, ndërsa podi u plotësua nga bashkëkombaset e saj Jonna Sundling dhe Maja Dahlqvist, për historinë.

Austria triumfon në Slalomin ekipor për vajza, Shiffrin zhgënjen - Emocione dhe rivalitet i fortë kanë karakterizuar Slalomin special ekipor për vajza. Pritshmëritë e larta për SHBA-në dhe Mikaela Shiffrin nuk u përmbushën, ndërsa Austria u ngjit në majë të podiumit.

Dyshja austriake Huber - Raedler zhvilloi një garë të shkëlqyer për të fituar medaljen e artë. Gjermania, me Aicher dhe Weidle-Winkelmann, u rendit në vendin e dytë duke siguruar medaljen e argjendtë, ndërsa bronzi shkoi për SHBA-në falë paraqitjes së Moltzan dhe Wiles. Shiffrin e SHBA-së jashtë podiumit.

Biatlon/ Johan Olav Botn kampion olimpik në 20 km - Norvegjezi Johan-Olav Botn është shpallur kampion olimpik në garën individuale 20 km në biatlon për meshkuj. Një paraqitje perfekte në poligonin e qitjes, me 20 goditje të sakta nga 20 të mundshme, i siguroi atij medaljen e artë.

Botn la pas kampionin botëror në fuqi, francezin Eric Perrot, i cili pagoi shtrenjtë një gabim të vetëm në raundin e dytë të qitjes, pavarësisht ritmit të lartë në skijim. Podiumi u kompletua nga një tjetër norvegjez, Sturla Holm Lægreid, që fitoi medaljen e bronztë.

Birk Ruud konfirmohet legjendë, fiton arin në Slopestyle - Birk Ruud vazhdon të shkruajë historinë e tij në sportet e stilit të lirë. Norvegjezi fitoi medaljen e artë në Slopestyle për meshkuj, duke dominuar që në zbritjen e parë me rezultatin 86.28 pikë.

Ish-kampioni olimpik në “Big Air” në Pekin 2022 ishte i pakapshëm për rivalët. Amerikani Alex Hall arriti të sigurojë medaljen e argjendtë, ndërsa debutuesi 21-vjeçar nga Zelanda e Re, Luca Harrington, surprizoi me një medalje bronzi në përpjekjen e tij të fundit.

Birk Ruud në 'slopestyle'

Suedia shkruan histori në Slopestyle për femra - Një faqe historike u shkrua në Tesero, ku Suedia dominoi plotësisht Slopestyle për femra, duke zënë të tre vendet e podiumit. Linn Svahn fitoi medaljen e artë olimpike, përpara bashkëkombasve Jonna Sundling dhe Maja Dahlqvist.

Ky ishte suksesi i parë i plotë i një kombëtareje në 'Milano Cortina 2026' dhe një arritje unike për sportin suedez. Një sukses i tillë nuk ishte parë që nga Lojërat Olimpike të vitit 1948 dhe shënon herën e parë që tre gra suedeze ndajnë të njëjtin podium olimpik në të njëjtën disiplinë.

Ndarja e medaljeve pas ditës së 4-t në 'Milano Cortina 2026'

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:05
Fitoi medalje olimpike, sportisti norvegjez në lot: Tradhtova të fejuarën, gabimi i jetës sime

1770807993_sturlaholmlgreid.jpg

Sturla Holm Lægreid sapo kishte fituar medaljen e tij të parë olimpike, vendin e tretë në Biatlon. Një rezultat i jashtëzakonshëm për të, që e bëri të lotojë. Vetëm se lotët e Sturla Holm Lægreid në fund të intervistës për “NRK” nuk kishin të bënin me emocionet e medaljes në Olimpiadë, por me një dobësi njerëzore. Lagreid në atë moment rrëfeu tradhtinë ndaj të fejuarës.

“Gjashtë muaj më parë takova dashurinë e jetës sime, - ka thënë 28-vjeçari norvegjez mes lotësh, - takova personin më të bukur dhe më të jashtëzakonshëm në botë. Tre muaj më parë bëra gabimin e jetës, nuk u tregova besnik”.

Sportisti u duk vërtet shumë i prekur pas zbulimit të tradhtisë pak para Olimpiadës, kur ajo e la menjëherë. Lægreid u shpreh se afrimi i garës koincidoi me javën më të vështirë të karrierës. Ai shtoi se ndihej sikur kishte hedhur tej “medaljen e artë të jetës”.

“Do të doja ta ndaja këtë medalje me të. Do të doja të isha një shembull i mirë, ndihesh shumë keq kur i shkakton dhimbje dikujt që e do kaq shumë. Por kjo është jeta”, tha norvegjezi.

Shokët e skuadrës e dinin këtë histori dhe Sturla Holm Lægreid vendosi ta tregonte publikisht, nëse do të fitonte medalje. Ai e mbajti fjalën, duke tentuar të fitojë sërish dashurinë.

Lægreid i kërkoi ndjesë edhe bashkëkombësit, kampionit olimpik Johan-Olav Botn. “Nuk dua të të marr skenën, shpresoj të jetë një problem vetëm për ditët e ardhshme. Medalja jote e artë olimpike është përgjithmonë".