BORMIO, Itali - Skiatori i Shqipërisë, Denni Xhepa e ka mbyllur pa sukses garimin në Olimpiadën Dimërore 'Milano Cortina 2026'. 22-vjeçari garoi sot në disiplinën e Slalomit, por nuk mundi të mbyllte lëshimin e parë edhe për shkak të reshjeve të dendura të borës, duke u futur mes shkopinjve të kthesave. I 50-ti në listën me 96 skiatorë të kësaj gare, Xhepa kishte një kohë të mirë në sektorin e parë të pistës, por nuk mundi ta përfundonte duke u eliminuar pas disa sekondave në pistë. 

Zvicerani Loic Meillard fitoi medaljen e artë me kohën 1 minutë, 53 sekonda dhe 61 të qindtat. Pas tij Fabio Gstrein i Austrisë me 0.35 sekonda pas, ndërsa norvegjezi Henrik Kristoffersen mori medaljen e bronztë.

Pas tre garash në këto Lojëra, Xhepa e mbyll garimin në 'Milano Cortina' pasi u paraqit në tre disiplina. Për 22-vjeçarin kjo ishte gara e fundit, pasi u rendit në vendin e 34-t në disiplinat e Super Gjigantit dhe Slalomit Gjigant.

Dje në Cortina d'Ampezzo Shqipëria u përfaqësua me dy skiatore në garën e vajzave për disiplinën e Slalomit Gjigant. Lara Colturi u rendit e 16-ta në finale, paçka se iu afrua podiumit pasi në lëshimin e parë u pozicionua në vendin e katërt. Ndërkohë Semire Dauti debutoi me fanellën kuqezi në vendin e 44-t.

Shqipëria do e mbyllë konkurrimin dhe ëndrrën për një medalje olimpike dimërore më 18 shkurt, kur Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do konkurrojnë në disiplinën e Slalomit.

Kujtojmë se kjo është hera e parë që vendi ynë përfaqësohet nga katër sportistë në një Olimpiadë Dimërore. Skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti janë sportistët e Shqipërisë në 'Milano Cortina 2026'.