“Shtëpia e verdhë” quhej kulla 2 katëshe në një fshat afër Burrelit, ku sipas raportit të komisionerit zvicerian Dick Marty, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e përdorte për t’i hequr organet serbëve të rrëmbyer dhe të vrarë, me qëllim tregtimin e tyre.
Ekskluzivisht për emisionin "Repolitix" në Report Tv me Denis Mingën, Arben Dyla, ish-prokurori i cili shoqëroi grupin e ekspertëve të UNMIK (Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë) që inspektuan këtë objekt në thellësi të Matit, tregon gjetjet që u bënë dhe konkluzionet e këqyrjes së imtësishme të “Shtëpisë së Verdhë”.
“Më duket sikur në fillim janë gjetur të pandehurit dhe më pas janë ngritur akuzat. Gjykata do të justifikojë punën e vet, do të justifikojë pagesat që merr. Në këndvështrimin tim si prokuror që kam ndjekur që në pikënisje veprimet që janë bërë në Shqipëri jam plotësisht i bindur, dhe me aq sa kam ndjekur përgjatë procesit jam plotësisht i bindur se prova nuk ka. Sepse shkaku ligjor mbi të cilën u ngritën Dhomat e Specializuara ka qenë një raport i komisionerit Dick Marty për trafik organesh kryer në territorin e Matit. Nga ky shkak ligjor, në aktakuzë përfundimtare nuk ka asnjë rresht. Pra nga shkaku ligjor dhe veprimet pasardhëse fillon duke çeduar. Dëgjojmë sot që prokurorët marrin prova nga prokuroria serbe, pra palë në konflikt. Para krijimit të kësaj gjykate vetë prokuroria serbe kishte ngritur akuza për Hashim Thaçin e kompani, që në vlerësimin tim ne themi që janë liderët e UÇK-së, por UÇK-ja nuk ka qenë një ushtri e mirëfilltë që të themi që pas urdhërit që jepte Shtabi i Përgjithshëm dhe komandantët, do të kryenin këto vepra penale si krime kundër njerëzimit”,- tha Dyla.
“Në shkurt të vitit 2004 unë u njoftova nga Prokuroria e Përgjithshme se do të vinte një grup ekspertësh për të bërë një verifikim në Mat dhe konkretisht kërkohej një shtëpi që dyshohej se kishte shërbyer si burg i UÇK-së. Pasi ka ardhur ky grup ekspertësh 12-14 persona unë i kam shoqëruar bashkë me grupin e gatshëm të komisariatit në kërkim të kësaj shtëpie, e cila më thanë që është një tip kulle karakteristike shqiptare, 2-3 kate nga rrjedha e majtë e lumit të Matit. Rrugës për në qytetin e Klosit shikoje që herë pas here këta hapnin hartat dhe aparatet GPS dhe krijuan idenë tek unë që këta kanë dijeni për vendndodhjen e saktë. Ishin ekspertë, jo hetues të mirëfilltë, me drejtues një peruan. Kishte shtetas rumun, çek, ukrainas, amerikanë. Ne kemi shkuar në shtëpinë e të ndjerit Abdulla Katushi, aty ishte fundi i rrugës nuk kishte rrugë tjetër. Hapën hartat dhe thanë po kjo është banesa. Në kontakt të parë me të zotin e shtëpisë, që për të qenë i sinqertë kanë ofruar të gjithë mbështetjen për grupin e ekspertëve. Hapën dyert e shtëpisë dhe thanë bëni çdo lloj kontrolli. I kam pyetur nëse ka patur refugjatë kosovarë në banesën e tyre dhe më kanë thënë jo. I kam pyetur nëse kanë pasur ushtarë të UÇK-së dhe më kanë thënë jo. Nëse ndonjë familjar i tyre ka qenë pjesë e UÇK-së dhe më kanë thënë jo. Më pas ekspertët vazhduan punën, në plehrat e banesës në një skarpat përroi gjetën 2-3 flakonë si të pinicilinës. Pyetën familjarët çne mbetje spitalore këtu, dhe ata i thanë fshati është 2 orë larg qytetit, nuk ka qenëdër shëndetësore afër. Qytetarët i marrin me vete medikamentet dhe vjen ndihmësmjeku dhe bëjnë terapinë në banesë. Më pas gjetën një mbetje beze najloni të fortë, dhe thanë kjo përdoret në luftë kimike ose veshje mjekësore që përdorin mjekët dhe pyes gratë e shtëpisë ça është kjo. Ato më thonë që kjo është një mbetje tavoline e kohës së komunizmit ku një pjesë është e plastifikuar dhe pjesa tjetër është ai najloni i fortë. Në shtëpi kemi qëndruar nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 9 të darkës”,- shtoi ai.
Ish-prokurori rrëfen se si ekspertët kërkuan hapjen e varreve të fshatit që nuk kishin emra.
“Shkojnë në varrezat e fshtatit, varrezat e vjetra. Ato janë varre që identifikohen me gurë, jo me struktura siç i kemi sot. Nga kurioziteti dolën të gjithë fshatarët, sidomos te pjesa e varrezave. Dhe duke qenë se nuk kishin emra dhe grupit të ekspertëve u bëjnë përshtypje dhe pyesin varret e kujt janë, dhe pyes fshatarët. Ata janë varret e vjetra të fshatit tonë thonë, dhe na tregojnë emër për emër të gjithë varret”,- tha Dyla.
Dyla tregon gjithashtu se si dyshimet për njolla gjaku në një dhomë të “Shtëpisë së Verdhë” arritën vetëm të habisnin grupin e ekspertëvs të huaj se një prej nuseve kishte lindur fëmijën në atë kullë, dhe se nuk përforconin asnjë pretendim se aty mund të jenë hequr organe jetësore me qëllim shitjen e tyre.
Faktin që inspektimi i imtësishëm i kullës në thellësi të Matit nuk konfirmoi asnjë nga akuzat e zvicerianit Dick Marty, ish-prokurori thotë që e vërtetoi dhe reagimi i një prej ekspertëve me origjinë amerikane.
“Një amerikan tha ‘bullshit, këtu nuk ka asgjë përse erdhëm”,- tregoi Dyla.
Befasuese ishte detaji i ri që ish-prokurori solli për herë të parë në rrëfimin e tij. Dyla tregoi se si drejtuesi peruan i grupit të ekspertëve të huaj, së bashku me një person tjetër, kishin vizituar 2 muaj më parë "Shtëpinë e Verdhë" të kamufluar si 2 inxhinierë.
"Përpara se të shkonim me grupin e eskpertëve, në një bisedë që kam patur me të ndjerin Abdulla Katushimë ka thënë që 2 muaj përpara, kanë ardhur 2 persona, të cilët flisnin një shqipe të çalë të cilët më janë prezantuar si inxhinerë rrugësh dhe të cilët do të punonin për Rugën e Arbrit. Kanë hyrë dhe kanë parë të gjithë ambientet e shtëpisë me arsyetimin se kjo shtëpi na duhet për ta marrë me qira për punëtorët tonë. Është i njëjti person, (drejtuesi i grupit të ekspertëve) që ka qenë dhe 2 muaj më parë me dikë tjetër, në këtë shtëpi",- tha Dyla.
Ish-eksperti në Konferencën e Rambujesë (që u mbajt rreth 27 vite më parë afër Parisit), Avni Jasharllari, është shprehur se propaganda serbe ka bërë gjithçka që të shtrembërojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri.
Komentet Jasharllari i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se BE çuditërisht mbështeti pretendimet e serbëve, pavarësisht se e dinin se Serbia është një shtet që ka shkaktuar disa konflikte në rajon, duke pranuar krijimin e Gjykatës Speciale.
Jasharllari tha gjithashtu se pretendimet për Shtëpinë e Verdhë janë sajesa të serbëve, me qëllim që opinioni ndërkombëtar të mbarsej me ide se UÇK ka kryer krime kundër njerëzimit.
“Unë jam në dijeni për aq kohë sa kam mbajtur kontakte me udhëheqës të Kosovës, që UÇK ishte një luftë popullore. Ai organizim që kërkojnë këta, mbase edhe nuk funksiononte, sepse ishte nën mbikëqyrjen e serbëve. Këta ishin në ilegalitet të plotë të gjithë. UÇK ishte me një organizim rajonal. Kjo ishte një ndërgjegjësim i popullit të Kosovës për liri. E gjithë kjo veprimtari e popullit të Kosovës pati përkrahjen masive të popullit të Kosovës, por pati edhe elementë që punuan për serbët. Unë e di që një pjesë e Kosovarëve të paguar nga shërbimi serb, ose kanë qenë anëtarë të shërbimit serb, indirekt kanë ndikuar në dhënien e materialeve për të propaganduar që UÇK është një organizatë terroriste, apo grup kriminal siç e quanin ata.
Por e vërteta është krejt ndryshe. Shkurt fajtorë janë serbët. Serbët punuan vite të tëra për të krijuar situata që opinioni ndërkombëtar të dënonte UÇK-në dhe çdo gjë tjetër që e ndihmonte UÇK-në dhe krijuar Shtëpinë e Verdhë, bënë propagandë që po vriten njerëzit në Kosovë.
Ngritën materiale sikur po vriten serbë në Kosovë. Dhe mbi bazën e gjithë kësaj propagande, ndodhur në kushtet që kushdo që do ta dëgjonte në opinion trafikun e organeve, rrëmbim personash, etj, do të thoshin ‘po, kemi të bëjmë me njerëz që kryejnë krime kundër njerëzimit’. BE pastaj donte të ndihmonte shtetin serb, që shteti serb është shteti që bëri luftë me Slloveninë, Kroacinë, Bonjën, Kosovën dhe bëri krime gjithandej. Dhe sërish përpiqen ta ndihmojnë. Jemi në kushte shumë të pabarabarta. Krijimi i kësaj gjykate është bërë për të hequr emrin e mirë të një lufte që bëri UÇK”, tha mes të tjerash Jasharllari.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale në Hagë kërkoi pak ditë më parë nga 45 vite burg për secilin nga 4 ish-drejtuesit e UÇK-së, një kërkesë kjo e komentuar si absurde nga faktori politik shqiptar.
Lidhur me këtë kërkesë të Speciales, u zhvillua sot një protestë madhështore në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe të një gjykimi të drejtë për ta.
Komente












