Superkampioni norvegjez Johannes Høsflot Klæbo ka treguar edhe një herë se suksesi në sportin elitar kërkon sakrifica ekstreme. Fituesi i gjashtë medaljeve të arta në Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026' zbuloi se kishte kaluar plot dy muaj pa puthur të fejuarën e tij, për të shmangur çdo rrezik infektimi para garave.
29-vjeçari, tashmë me 11 medalje të arta olimpike në total, më shumë se çdo sportist tjetër në historinë e Lojërave Dimërore, kishte vendosur një regjim pothuajse “ushtarak” për të mbrojtur shëndetin. Aq i kujdesshëm ishte, sa kërkoi edhe nga shoku i skuadrës Emil Iversen të mbante maskë pasi kishte përqafuar bashkëshorten e tij.
“Është puthja e parë që nga dhjetori. Ishte shumë e veçantë”, rrëfeu kampioni, duke iu referuar momentit kur më në fund takoi partneren e tij, influencuesen Pernille Døsvik, të cilën e njeh që nga fëmijëria në Trondheim.
Frika nga viruset nuk ishte e rastësishme. Skitë në terren të hapur janë një disiplinë sportive që lodh jashtëzakonisht organizmin dhe mund të dobësojë përkohësisht sistemin imunitar. Madje, pas garës klasike 50 km, Klæbo pranoi se nuk ishte ndjerë mirë fizikisht, por vendosmëria për të garuar ishte më e fortë.
Rregullat strikte të izolimit kishin bërë që çifti të mos takohej gjatë gjithë Lojërave. Distanca ka prodhuar edhe histori kurioze pasi familjarët e Døsvik kishin filluar të pyesnin nëse Klæbo ishte ende “njeriu i tyre”, pasi nuk e kishin parë për muaj të tërë, edhe pse jetonin në të njëjtin qytet.
Johannes Høsflot Klæbo me të fejuarën, Pernille Døsvik
Komente






