Fasada e Muzeut Historik Kombëtar ka përfunduar restaurimin. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale ku shihen edhe ndërhyrjet e kryera dhe rezultati.

Ai bën me dije se tani do të vijohet me fazat e tjera të përforcimit struktural, rimuzealizimit dhe rikonceptimit të institucionit.

“Zbulohet fasada e Muzeut Historik Kombëtar pas përfundimit të restaurimit të plotë të saj, duke shënuar një moment të rëndësishëm në procesin kompleks të rikonstruksionit dhe konservimit të këtij monumenti kulture të kategorisë së II-të. Pas përfundimit të restaurimit të mozaikut monumental në kuadër të projektit të parë të programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS, tashmë finalizohet edhe ndërhyrja në të gjithë fasadën, duke garantuar ruajtjen e vlerave historike dhe arkitektonike të godinës dhe duke hapur rrugën për vijimin e fazave të mëtejshme të përforcimit struktural, rimuzealizimit dhe rikonceptimit të institucionit”, shkruan Gonxhja.

Restaurimi vjen përmes një marrëveshje të nënshkruar me Bankën Europiane të Investimeve për një grant me vlerë 350 mijë euro, duke mundësuar shërbime këshillimore për restaurimin urban dhe rindërtimin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, një objekt trashëgimie i Shqipërisë i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.

Granti financon përgatitjen, projektimin dhe rishikimet teknike të projektit, mbikëqyrjen, menaxhimin dhe prokurimin e projektit. 

Shërbimet e konsulencës do të sigurojnë që restaurimi i muzeut të përmbushë standardet e larta për efikasitetin e energjisë, qëndrueshmërinë ndaj masave klimatike dhe rehatinë e vizitorëve, duke rritur njëkohësisht integrimin me mjedisin urban përreth. 

Muzeu mbylli dyert për publikun më 15 mars 2024 dhe do të qëndrojë i mbyllur për një periudhë prej katër vitesh, me rihapjen e planifikuar për më 15 mars 2028.

P.J/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 18 Prill, 08:22

    Si ju duk strategjia e drejtorit Hita në organizimin e policisë gjatë protestës së PD?