ITALI, Cortina d'Ampezzo - Ëndrra e Shqipërisë për një medalje historike olimpike në Lojërat Dimërore 'Milano Cortina 2026' mori fund këtë të mërkurë. Skiatorja italo-shqiptare që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, e mbylli garën e disiplinës së Slalomit në vendin e dhjetë duke ndarë pozitën me Caitlin McFarlane të Francës, me dy skiatoret që bënë një kohë identike. Paçka të gjithave Lara bëri një kohë shumë të mirë për këtë nivel skijimi, duke marrë parasysh moshën e saj të re, vetëm 19 vjeç.

Me kohën totale në dygarësh prej 1 minutë 41 sekonda e 78 të qindtat, Lara mbeti 2.68 sekonda pas vendit të parë i cili u sigurua nga 'Madhëria e Saj', amerikania veterane Mikaela Shiffrin, që ngjitet për herë të parë në podium në këto Lojëra duke marrë medaljen e artë. Kampionia absolute e këtij sporti la pas zviceranen Camille Rast e cila siguroi medaljen e argjendtë me 1.50 sekonda pas, ndërsa në vendin e tretë dhe për medaljen e tretë olimpike të saj, u rendit Anna Larsson Swenn.

Gara e Lara Colturit

Në lëshimin e parë, Colturi regjistroi kohën 48.39 sekonda për vendin e shtatë. Në lëshimin e dytë Lara e ndali kronometrin në 53.39 sekonda duke u renditur e 23-ta, ndërsa koha totale prej 1 minutë 41 sekonda e 78 të qindtat e vendosi në pozitën e dhjetë, duke ndarë vendin me Caitlin McFarlane të Francës, me dy skiatoret që bënë një kohë identike. Pas debutimit në Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026' në disiplinën e Slalomit Gjigant ku zuri vendin e 16-të, talentja kuqezi Lara Colturi ia doli të përmirësonte renditjen në disiplinën e preferuar, atë të Slalomit. Colturi në Kupën e Botës ka regjistruar katër podiume, dy vende të dyta dhe dy të treta.

Semire Dauti dhe Lisa Brunga u eliminuan në lëshimin e parë  

Lisa Brunga debutoi në këtë Olimpiadë në vendin e 58-të me kohën 57.55 sekonda, por u skualifikua për një shkelje në rregullat e garës. Skiatorja tjetër e Shqipërisë, Semire Dauti nuk mundi ta mbyllte garën duke u eliminuar pas sektorit të parë të pistës. As Kiana Kryeziu e Kosovës nuk mundi ta mbyllte garës. Në total garuan 95 skiatore.

Kujtojmë se kjo ishte hera e parë që vendi ynë përfaqësohej nga katër sportistë në një Olimpiadë Dimërore. Skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti ishin sportistët e Shqipërisë në 'Milano Cortina 2026', teksa Xhepa e ka mbyllur konkurrimin ditë më parë. Sot edhe tre vajzat kuqezi zbritën në pistë për herë të fundit.

Kampionia Mikaela Shiffrin

Mikaela Shiffrin rikthehet të dominojë Slalomin olimpik 14 vjet pas herës së parë. Skiatorja amerikane e ka bërë me dy lëshime perfekte, që e kanë lejuar të shkëputet një sekondë e gjysmë nga rivalja e saj, zvicerania Rast, ndërsa medalja e bronzit i ka takuar suedezes Swenn Larsson.

Për sportisten amerikane bëhet fjalë për medaljen e tretë të artë në Lojërat Olimpike, pas atyre të fituara në moshën 18-vjeçare në Slalom në 'Sochi 2014' dhe në Slalomin gjigant në 'PyeongChang 2018'. Rekordmendja e fitoreve në Kupën e Botës (108), në Olimpiadën e 'Pekinit 2022' kishte dalë jashtë nga gara e slalomit dhe gara e kombinuar, duke mos marrë asnjë medalje.

Renditja finale

Semire Dauti (majtas), Lara Colturi (në mes) dhe Lisa Brunga në të djathtë të ekranit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:23
Lara Colturi për 'Olympics': S’jam për herë të parë në Lojërat Olimpike Dimërore, kam debutuar në barkun e nënës

1771406630_laracolturi.jpg

Në një intervistë për “Olimpics.com”, Lara Colturi ka lënë të kuptohet se gjithçka që ka arritur nuk është një rastësi. Skiatorja e Shqipërisë ka lindur në një familje që adhuron këtë sport madje edhe ka shkruar një pjesë të historisë të këtij sporti.

“Këto janë Lojërat e para Olimpike Dimërore për mua, nëse do të heqim atë që kam bërë në barkun e mamasë sime (Toronto 2006)”, tha 19-vjeçarja për “Olimpics” kur pranon me krenari se është e bija e Daniela Ceccarellit (fitoi të artën në Super Slalomin Gjigant në “Salt Lake 2002”).

Tani Lara Colturi është krenare për atë që ka arritur pasi në 'Milano Cortina 2026' ku ka ndryshuar rolet me mamanë e saj, e cila është ajo që e pret tashmë në finish.